Pavarësisht se kanë kaluar disa ditë nga njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e kryeparlamentarit, po vazhdon të mbetet në fuqi masa e përkohshme që ndalon mbajtjen e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës.
Nga Gjykata Kushtetuese thonë se aktgjykimi do të publikohet pasi të përfundojnë procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
“Aktgjykimi i gjykatës në rastin KO193/25 dhe KO196/25 do të publikohet pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së gjykatës përkitazi me publikimin e vendimeve. Pas finalizimit të tekstit, aktgjykimi do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e gjykatës dhe ai do të dërgohet për publikim edhe në Gazetën zyrtare”, ka thënë në një përgjigje për IndeksOnline, Veton Dula nga Gjykata Kushtetuese.
Zyrtarë të partive politike kanë thënë se do ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në njoftimin e së premtës ka bërë me dije se zgjedhja e kryeparlamentarit, duhet të bëhet me votim të hapur.
Sipas njoftimit, një kandidat mund të propozohet deri në tri herë në votim.
Poashtu, ky vendim obligon të gjithë deputetët të marrin pjesë në votim.
Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë edhe 30 ditë afat nga hyrja në fuqi e aktgjykimit për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit.