Pallati Golestan, një nga toponimet kulturore të Teheranit nën mbrojtje të UNESCO-s, është dëmtuar rëndë në sulmet e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ndaj kryeqytetit të Iranit. Dritaret, dyert dhe pasqyrat janë dëmtuar nga shpërthimet pranë sheshit Arag në qendrën kulturore-historike të Teheranit, ka njoftuar agjencia e lajmeve ISNA.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka bërë të ditur se ua ka dërguar të gjitha palëve koordinatat gjeografike të lokaliteteve në Listën e Trashëgimisë Botërore dhe atyre me rëndësi kombëtare, në mënyrë që të shmanget çdo dëmtim i mundshëm.
Golestani, ose “Pallati i kopshtit të trëndafilave”, është një nga komplekset mbretërore më të vjetra në Teheran dhe njihet edhe për sallën e pasqyrave.
Autoritetet iraniane kanë njoftuar se një pjesë e artefakteve ishte zhvendosur më herët në një thesar për ruajtje. Pallati Golestan ka një hyrje monumentale dhe ka disa sallone të përdorura tani si muze, si sallën e pasqyrave, sallën e diamanteve dhe dhomën e fildishtë. Në dhomën e fronit, i quajtur Talar-e Salam, është froni i famshëm i Palluhit i cili, më 1739, u soll nga India nga Nader Shah si plaçkë lufte.
SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt sulmuan Iranin, duke vrarë udhëheqësin suprem ajatollahun Ali Khamenei, ndërsa Donald Trump më parë kishte akuzuar autoritetet në Teheran se po zhvillonin një program të rrezikshëm bërthamor, gjë që Irani e ka mohuar vazhdimisht.
Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj vendeve të Gjirit Persik, ku ndodhen baza ushtarake amerikane.













