Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku një person i maskuar ka kryer një grabitje të armatosur në një pikë karburanti të “Veda Petrol”.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 01:20, në pompën e derivateve “Veda Petrol”, një person i panjohur, i armatosur dhe i maskuar, ka hyrë me forcë në objekt dhe i ka drejtuar armën punëtorit të ndërrimit të natës, B. M..
Sipas deklarimit të viktimës për Policinë, i dyshuari i ka kërkuar para nën kërcënimin e armës. I frikësuar për jetën e tij, punëtori ka dorëzuar 120 euro para të gatshme, ndërsa grabitësi është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Në lokacion kanë dalë njësitë policore dhe hetuesit kompetent, të cilët kanë nisur hetimet.
Prokurori kujdestar është informuar dhe ka udhëzuar që rasti të trajtohet si “Grabitje”, ndërkohë që personi i dyshuar është ende në arrati dhe po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e tij.