Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga grabitjet. Shtëpitë, bizneset e ndryshme në Kosovë dhe hapësirat tjera publike janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë ndonjë grabitje.
Kështu, Sinjali mëson ekskluzivisht se sot në orët e pasdites ka ndodhur një grabitje jo larg Xhamisë së Madhe në qendër të Prishtinës, ku një person është kapur në flagrancë.
Sipas sinjalizuesve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur në një zonë të frekuentuar, kur një individ dyshohet se ka arritur të kryejë një akt grabitjeje, mirëpo është penguar për t’u arratisur në momentin e fundit nga një Prokuror, që Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për Arben Hotin, i cili ndodhej aty afër.
“Ka pasur hallakamë, njerëzit u ndalën me pa çka po ndodhë, e pamë që një person po ikte, por dikush e ndali dhe aty është përleshja”, ka thënë njëri nga dëshmitarët për Sinjalin.
I dyshuari thuhet se ka tentuar të largohet me shpejtësi, por është neutralizuar në vendin e ngjarjes, ku ka pasur edhe tension dhe përplasje.
Policia është njoftuar nga prokurori dhe rasti është marrë zyrtarisht për trajtim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.