I dërguari special për Misione të Veçanta i Presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, ka kritikuar ashpër sistemin evropian të drejtësisë, duke e cilësuar si “brutal” dhe “të drejtuar nga elitat”.
Në një postim në platformën X, Grenell ka reaguar ndaj faktit që ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet në paraburgim në Hagë për pesë vjet pa një vendim gjyqësor përfundimtar.
“Ka shumë arsye pse Evropa po dështon. Por një shembull është numri i madh i politikanëve evropianë që qëndrojnë rehatshëm të heshtur, ndërsa Haga mban një Kryetar Shteti në burg për 5 vite pa gjyq. Dhe pastaj gjyqi zgjat edhe disa vite të tjera.” – ka shkruar Grenell
Ai ka shtuar se kjo nuk është drejtësi dhe ka sugjeruar që askush të mos marrë më “këshilla juridike nga Evropa”.
“Është një sistem brutal dhe arkaik, i drejtuar nga elitat. Kjo nuk është drejtësi. Dhe askush nuk duhet të marrë më kurrë këshilla juridike nga një evropian.”
Grenell tha se shpreson që Thaçi, pas lirimit, “t’i padisë të gjithë në Hagë në një gjykatë amerikane.”
“Shpresoj që Hashim Thaçi t’i padisë të gjithë në Hagë në një gjykatë amerikane kur të lirohet – në fund të fundit, janë paratë e taksapaguesve amerikanë.” – ka shtuar ai.














