Greqia po përballet me pesë zjarre të mëdha në disa zona të vendit, ndërsa autoritetet kanë evakuuar banorë të fshatrave më të prekura vetëm 30 km në veri të Athinës, raporton BBC.
Era e drurit të djegur është ndjerë deri në zemër të kryeqytetit.
Temperaturat ekstreme që priten të arrijnë deri në 44 °C gjatë fundjavës dhe era e fortë po përkeqësojnë situatën, sipas raportimit të agjencisë AFP. Ministri i Krizës Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Giannis Kefalogiannis, ka deklaruar:
“Kemi zjarrfikës të lënduar, jetë njerëzish që janë vënë në rrezik, prona të djegura dhe sipërfaqe pyjore të shkatërruara.”
Në një kërkesë të zyrtarizuar pranë mekanizmit civil të BE-së, Greqia ka kërkuar gjashtë avionë shtesë për shuarjen e zjarreve, për të ndihmuar operacionet në terren. Ekipet lokale dhe ndërkombëtare kanë reaguar menjëherë me mbi 200 zjarrfikës, avionë dhe helikopterë për të përballuar emergjencën.
Në rajonin e Atikës, sidomos rreth Afidnes që nisi zjarri, flakët përhapen me shpejtësi drejt Drosopigi, Kryoneri dhe Agios Stefanos, duke detyruar evakuimin e banorëve dhe djegien e disa banesave. Ndërkohë, në ishullin Evia, një vatër pranë Pissonas është shpallur “jashtë kontrollit” ndërsa flakët avancojnë drejt Afratit. Fshatra të tjerë, si Pournos dhe Mistros, kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të dëmtimit të linjave të transmetimit.
Autoritetet raportojnë se 6 zjarrfikës janë dërguar në spital, ndërsa 115 të tjerë vazhdojnë të luftojnë flakët në terrenin e vështirë. Në disa zona akoma ka vatra aktive që po sfidojnë përpjekjet për kontrollin e situatës.