Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë kanë vazhduar protestën edhe gjatë festës së Bajramit.
Ata po protestojnë përpara objektit të Komunës së Prishtinës, duke kërkuar zgjidhje për krizën financiare që ka prekur ndërmarrjen.
Sindikata e punëtorëve ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila ka hedhur poshtë kërkesëpadinë e Komunës së Prishtinës për pezullimin e përkohshëm të rregullores që përcakton mënyrën e re të pagesës për shërbimet e mbeturinave. Sipas këtij vendimi, faturat për shërbimet e mbeturinave duhet të paguhen drejtpërdrejt kompanisë “Pastrimi” dhe jo përmes operatorëve privatë. 
Në këtë kontekst, sindikata ka paraqitur një sërë kërkesash drejtuar Komunës së Prishtinës, duke përfshirë:
• Kthimin e të gjitha mjeteve financiare të inkasuara në mënyrë të paligjshme deri më tani nga Komuna e Prishtinës, në afatin sa më të shpejtë që të fillojë mbledhja e mbeturinave.
• Dalje publike në media nga autoritetet përkatëse të Komunës, duke bërë thirrje që faturimi dhe pagesat të kryhen ekskluzivisht përmes KRM “Pastrimi”.
• Largimin e plotë të operatorëve privatë nga operimi i mbledhjes së mbeturinave dhe fillimin e zbatimit të plotë të rregullores në fuqi.
• Ndërprerjen e çdo keqinterpretimi nga ana e autoriteteve të komunës, pasi çdo veprim jashtë aktgjykimit është i jashtëligjshëm dhe cenon të drejtat e 900 punëtorëve, të cilët rrezikojnë të mbesin pa punë.
• Një qasje më konstruktive dhe bashkëpunuese në të ardhmen, duke garantuar që sindikata të jetë e informuar dhe e përfshirë në të gjitha vendimet që ndikojnë në të drejtat e punëtorëve.
Punëtorët e “Pastrimit” kanë theksuar se nuk do të tërhiqen nga greva deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të tyre.