Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar pas raportimeve se një ish-rojë burgu në Hagë është rekrutuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke iu dhënë roli i prokurorit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, raporton GazetaBlic.
Gucati në një intervistë për GazetaBlic, thekson se tani janë dy gardianë që kanë qenë dhe janë bërë prokuror.
Ai shton se ky është një akt brutal që nuk duhet të falet fare.
“Është një rast banal, një rast që është me të befasu edhe me të qudit. Si ndodh në një qendër të paraburgimit në një burgë të sigurisë së lartë, se aty kam qenë edhe vet e di se cka do të thotë ai burg. Aty janë dy gardianë që kanë qenë dhe janë bërë prokuror, ka qenë edhe një ma heret sa isha unë atë kohë, ka qenë ka punu në stafin civil dhe është bërë prokuror, tash edhe ky i dyti. Unë u besoj fjalëve të ish presidentit dhe gjithë atyre që kanë qenë të kërcënuar prej tij. Ky është një akt brutal, një akt i shëmtum që sduhet falur fare”, tha ai.
Ndër të tjera Gucati thekson se është mirë të protestohet në të gjitha vendet e Evropës në mënyrë që ti kuptojnë të gjithë padrejtësitë që po u bëhen ish krerëve të UÇK-së, në Gjykatën Speciale.
“Tash qytetarët e Kosovës kanë të drejtë ta ngrisin zërin për çdo gjë që ndodh në Gjykatën Speciale. Unë mendoj se është mirë të protestohet në të gjitha vendet e Evropës jo vetëm aty, dhe ne nuk do të rrimë duar kryq, nuk do të ndalemi, do të vazhdojme edhe me protesta por edhe me mënyra tjera”, përfundoi Gucati.