Erling Haaland është rikthyer në stërvitje për Manchester Cityn, përpara ndeshjeve vendimtare të klubit kundër Southamptonit dhe Bayern Munichut.
Norvegjezi pësoi një dëmtim në ijë gjatë fitores 6-0 të Cityt ndaj Burnleyt në Kupën FA më 18 mars, gjë që e la atë jashtë fushës për më shumë se dy javë. Ai u detyrua të tërhiqej nga skuadra e Norvegjisë për kualifikimet e EURO 2024 kundër Spanjës dhe Gjeorgjisë, dhe gjithashtu iu desh të largohej nga përballja e Cityt në Premier League kundër Liverpoolit.
City konfirmoi rikthimin e sulmuesit në stërvitje në një video të shkurtër në rrjetet sociale me mbishkrimin: “Erling Haaland është kthyer!”.
Haaland ka qenë në formë të shkëlqyer që kur u bashkua me kampionët në fuqi të Premier Leagues, duke shënuar 42 gola në 37 ndeshje në të gjitha garat.












