Derisa një procedurë hetimore ndaj të dyshuarit për fajde ishte ende në zhvillim nga një rast i vitit 2024, Prokuroria Speciale kishte nisur një tjetër hetim në vitin 2025 – sërish për fajde. Personi i dyshuar kryesor në të dyja rastet: Mefail Shkodra.
Ai, bashkë me një tjetër të dyshuar që ndërmjetësonte mes Shkodrës dhe viktimave – të cilët vetë ishin identifikuar nga Prokuroria Speciale si viktima të fajdes – u morën në pyetje nga prokurorja Habibe Salihi.
Pavarësisht pritjeve të mbrojtësve, që dy të dyshuarit të ndaloheshin të paktën për 48 orë, për shkak të provave të siguruara, përfshirë përgjimet dhe materiale të tjera, prokurorja Habibe Salihu mori një vendim befasues: ajo urdhëroi lirimin e tyre në procedurë të rregullt.
Habibe Salihi është e njëjta prokurore që po e trajton edhe një rast tjetër të ndjeshëm, për të cilin kishte raportuar më herët Insajderi – atë të Pajazit Tërnavës, i dyshuar për fajde në kohën kur ishte kryetar i Bashkësisë Islame në Fushë Kosovë. Megjithatë, deri më sot nuk dihet se çfarë ka ndodhur me këtë rast.