Një rast i rëndë vjedhjeje ka tronditur mbrëmë fshatin Vataj të Kaçanikut, ku persona të panjohur kanë depërtuar në një shtëpi dhe kanë marrë një shumë të majme parash dhe stoli ari.
Sinjali mëson se rasti është raportuar rreth orës 20:00 nga A. M rreth 22-vjeçar, i cili ka njoftuar Policinë se në shtëpinë e axhës së tij, B. Memaj, që aktualisht ndodhet jashtë vendit, janë futur hajnat.
Sipas tij, nga shtëpia janë “avulluar” rreth 30 mijë euro para të gatshme dhe stoli ari në vlerë prej 40-50 mijë eurosh.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetuesit e stacionit, ndërsa në proces është përfshirë edhe ekipi i Forenzikës Regjionale, që po mbledh provat për zbardhjen e rastit.
Deri më tani nuk dihet identiteti i hajdutëve, ndërsa Policia ka nisur hetimet për kapjen e tyre.