Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Shtëpitë, bizneset e ndryshme në Kosovë dhe hapësirat tjera publike janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje.
Kështu një vjedhje e pazakontë është raportuar në kryeqytet, ku një banesë në kompleksin “Ramiz Sadiku” është shënjestruar nga hajnat, të cilët ia kanë marrë pronarit armën dhe stolitë e gruas me vlerë të madhe.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është J. K., rreth 30-vjeçar. Ai ka treguar se ishte larguar për pushime verore së bashku me familjen dhe, pas rreth 10 ditësh, më 18 gusht rreth orës 16:00, kur u kthye në banesë, e priti një befasi e hidhur.
Nga banesa i kishte humbur një armë me leje, e tipit SIG SAUER, të cilën planifikonte ta rinovonte në polici, si dhe një sasi ari të gruas së tij me vlerë rreth 2,000 euro.
Ajo që e bën edhe më misterioz rastin është fakti se nuk kishte asnjë shenjë thyerjeje apo depërtimi me forcë në banesë, çka ngre dyshime për mënyrën se si hajnat kanë arritur të futen brenda.
Me urdhër të Prokurores së Krimeve të Rënda, rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë” dhe tashmë po hetohet nga njësitë e Hetimeve të Kryeqytetit.