Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur pasditen e së enjtes në një ndërtesë banimi në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë, ku një person i panjohur dyshohet se ka hyrë pas një banores në objekt dhe ka vjedhur dhjetëra palë këpucë nga hyrjet e banesave, me një vlerë totale rreth 2 mijë euro.
Burime të Sinjalit nga banorët e ndërtesës bëjnë të ditur se hajni ka hyrë në objekt menjëherë pas një vajze që banoi aty, duke përfituar nga hyrja automatike me çip. Sapo ka hyrë, ai ka lëvizur nëpër të gjitha katet dhe ka marrë këpucët që ndodheshin jashtë banesave, veçanërisht ato të markave të shtrenjta.
“Ka qenë shumë i qetë, si me qenë banor aty. E kemi parë më vonë në pamjet e kamerave të sigurisë. Ka hyrë si hije dhe ka dalë pa e vërejtur askush”, ka thënë për Sinjalin një banor i objektit.
Sipas këtyre burimeve, viktima kryesore e kësaj vjedhjeje ka qenë një familje që humbi mbi 13 palë këpucë. Thuhet se i dyshuari është parë më parë në lagje dhe ka lëvizur shpesh rreth ndërtesës, gjë që ngjall dyshime për ndonjë planifikim paraprak të vjedhjes.
Edhe pse nuk dihet nëse rasti është raportuar zyrtarisht në Polici, banorët kanë parë patrullë policore të pranishme në vendngjarje, çka lë të kuptohet se autoritetet mund të jenë në dijeni të incidentit.
Sinjali ka mësuar se objekti është i pajisur me kamera sigurie, dhe banorët presin që pamjet t’i dorëzohen autoriteteve për të ndihmuar në identifikimin e të dyshuarit.
Rasti ka shkaktuar shqetësim në mesin e banorëve, të cilët tashmë ndihen të pasigurt edhe brenda ndërtesës ku jetojnë.