Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se procesi i zgjedhjes së presidentit po përdoret si mjet për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Sipas Haradinajt, Kurti po synon krijimin e një situate që mund të përfundojë me zgjedhje të reja parlamentare.
“Krejt çka i ka marrë prej Vjosës, fare s’po i investon për Vjosën. Dhe nëse e qet ka me qit veç me na çu në zgjedhje. Kurti është ka don me na çu në zgjedhje, dhe në zgjedhje po na çon. Dhe i kisha thënë presidentes fare mos i mbledh nënshkrimet, se është veç met të vonu, poshtru, me të qit në peshore. Kurti është ka ia luan lojën asaj, sepse po i dhimbet çka do koftë që e ka mbërri e sukses 51 për qind me ndihëm e Vjosës, po i dhimbset me ia kthy edhe qoftë një për qind. S’po ka mëshirë politike ndaj askujt, sepse po do një kontroll të plotë, ai dhe vetëm ai”, ka thënë Haradinaj në Debat Plus.
Procesi i zgjedhjes së presidentit në Kosovë po zhvillohet në një afat të ngushtë kushtetues. Mandati i presidentes aktuale përfundon më 4 prill 2026, ndërsa afati i fundit për votimin e presidentit të ri është 4 mars 2026.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, në dy rundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa çdo kandidaturë duhet të mbështetet nga 30 nënshkrime deputetësh. Nëse asnjë kandidat nuk arrin shumicën e kërkuar në dy rundet e para, në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.















