Ish-nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj, ka folur lidhur me trajtimin e bisedave konfidenciale në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në një prononcim për emisionin “Kosova Today”, ai deklaroi se, ndonëse nuk posedon dëshmi konkrete, është i bindur se janë incizuar edhe bisedat që ai i ka zhvilluar me avokatët e tij, të cilat konsideroheshin si të privilegjuara.
“Ata kanë incizuar edhe në Dhomat e Privilegjuara, dhe unë po them se jam i sigurt, edhe pse tash nuk kam dëshmi, që ata na kanë dëgjuar edhe bisedat që i kemi bërë me avokatë, gjoja se kanë qenë biseda të privilegjuara. Por ne gjithmonë kemi marrë shenja nga avokatët që të mos flasim, sepse prapëseprapë edhe aty na dëgjojnë. Unë të garantoj se secili avokat na ka lajmëruar që të mos jemi të sigurt, edhe pse i kemi pasur bisedat e privilegjuara dhe e kemi pasur fajllin e privilegjuar, nuk jemi të sigurt që ato nuk i kanë ata. Nëse nuk i përdorin kundra neve, do t’i përdorin për të nxjerrë informacione tek të tjerët”, deklaroi Haradinaj.











