Harry Kane vazhdon të vendosë standarde të larta dhe nuk ka ndërmend të ndalet.
Sulmuesi i Kombëtares angleze dhe i Bayern Munichut synon ta zgjasë karrierën e tij sa më shumë, duke e marrë frymëzim nga Cristiano Ronaldo, shkruan “Goal.com”, përcjell “Gazeta Express”.
Kapiteni i Anglisë është përmendur si një lojtar që mund ta ndjekë rrugën e CR7 dhe madje të luajë në nivele të larta edhe në të 40-at, falë profesionalizmit dhe stilit të lojës që nuk mbështetet vetëm në shpejtësi apo fizik.
Kane, i cili tashmë është golashënuesi më i mirë në historinë e Anglisë, vazhdon të tregojë formë të shkëlqyer si me klubin, ashtu edhe me përfaqësuesen, duke qenë një figurë kyçe për ambiciet e “Tre Luanëve” në kompeticionet e ardhshme.
Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se ai mund ta arrijë jetëgjatësinë e jashtëzakonshme të Ronaldos.
Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka paralajmëruar se portugezi është një rast i veçantë dhe se nuk është e lehtë ta ruash atë nivel deri në moshën 40-vjeçare.
Nga ana tjetër, ish-lojtarë dhe analistë besojnë se mënyra e lojës së Kane – më shumë teknike dhe inteligjencë sesa e bazuar në shpërthim fizik – mund ta ndihmojë atë ta zgjasë karrierën dhe të mbetet konkurrues për shumë vite.
Në çdo rast, për Anglinë ky është një lajm i madh: një Kane në formë dhe me jetëgjatësi të madhe mund të jetë çelësi për të synuar sukses në turne si Botërori 2026, ku ai pritet të jetë sërish lideri i ekipit.












