Edhe deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, i ka reaguar deputetit të PDK-së, Abelard Tahiti, i cili sot e ka cilësuar ministren në detyrë të Drejtësisë si anti-UÇK.
Ajo ka bërë me dije se deputeti Tahiri po manipulon me të pavërteta.
Në profilin e saj në “Facebook”, Haxhiu ka mohuar pretendimet e Tahirit për Institutin për Hetimin e Krimeve të Luftës.
“Abelard Tahiri, me amnezi tendencioze, vazhdon të manipulojë me të pavërteta. Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës u shua në vitin 2018, gjatë mandatit të Abelard Tahirit si Ministër i Drejtësisë. Pra Tahiri mbylli mekanizmin shtetëror për dokumentimin e krimeve të Serbisë. Periudha deri më 31 dhjetor 2000 është e propozuar dhe votuar nga qeverisja e PDK-së, në 2011, kur u miratua Ligjin Nr. 04/L-023 për Personat e Zhdukur. Ky ligj përcakton qartë se trajtimi i rasteve të personave të zhdukur mbulon periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Më vonë, më 3 gusht 2015, në Kuvend votuan Dhomat e Specializuara, me juridiksion kohor 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Ligji i hartuar nga Qeveria jonë dhe i miratuar nga Kuvendi, është shumë i qartë dhe nuk lë vend për manipulime. Ai zbatohet për periudhën e luftës, pra nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999”, ka shkruar Haxhiu.