Hulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, është shprehur se kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca nuk ka një zë kritik e as rol kritik në këtë institucion.
Sipas saj, qasja e tij është shumë e butë, dhe se nuk dihet ku është ky kryetar, pasi në tri seancat e fundit të jashtëzakonshme, nuk ka qenë në karrigen e tij, njofton Klankosova.tv.
“Sa i përket rolit të kryetarit të Kuvëndit, ne si KDI e kemi kritikuar vazhdimisht në raporte, për shkak se ka luajtur një rol shumë të butë karshi zhvillimeve në Kuvend, si në rastet kur ka pasur gjuhë parlamentare ku ai nuk ka shqiptuar vërejtjet sipas rregullores dhe sanksionet që parashihen”, tha Haxholli në Rubikon.
“Nuk ka pasur rol dhe zë kritikë. Në tri seancat e fundit të jashtëzakonshme ai nuk ka qenë fare prezent, do të thotë se sot ne kemi një kryetar që nuk dihet ku është, nuk gjendet askund kryetari”.