Një nga emrat më të respektuar të mjekësisë në Kosovë, Dr. Sali Ahmeti, i njohur si hero i pandemisë, tashmë është radhitur publikisht në mbështetje të Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidatit të saj për kryeministër, Bedri Hamza.
PDK bën të ditur se Ahmeti ishte i pranishëm në tubimin e këtij subjekti politik në Bregun e Diellit, mbajtur në shkollën “Ismail Qemali”, ku mori pjesë edhe kandidati për kryeministër Bedri Hamza.
“Pjesë e këtij mobilizimi për ndryshim po bëhen gjithnjë e më shumë personalitete të njohura të vendit, duke i dhënë mbështetje vizionit për një Kosovë #MaMirë. Mes tyre është edhe këngëtarja e mirënjohur Shkurte Fejza, e cila është parë disa herë në tubimet e PDK-së gjatë kësaj fushate”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Ndër tjera, shtohet se PDK-ja vazhdon të konsolidojë mbështetjen e saj, duke bashkuar profesionistë e figura të shquara në misionin për një qeverisje më të fortë dhe më të përgjegjshme për qytetarët.