Historiani dhe ish-diplomati serb, Milan St Protic, përmes një shkrimi autorial të publikuar në gazetën serbe “Danas”, ka kritikuar kthesën që ka marrë protesta e studentëve në Serbi.
Protic mes tjerash ka thënë se një kthesë e tillë e studentëve “djathtas”, nuk ishte një lëvizje e mençur, transmeton Express.
Ai ka thënë se ato që u thanë nga skena që ishte vendosur në sheshin “Slavija” nuk ishin asgjë e re, asgjë origjinale dhe se ishin thënë e stërthënë.
Protic thotë se ato s’i përgjigjen as të vërtetës e as realitetit. Historiani serb ka theksuar se fjala më pak e përdorur në protestë ishte demokracia dhe ajo që u tha më shumë se një herë nga secili folës ishte Kosova.
Sipas tij, fjalët që u thanë ishin boshe dhe iluzore.
“Një kthesë e tillë e studentëve djathtas, sipas mendimit tim modest, nuk ishte e mençur. As nuk ishte e bazuar. Nuk dëgjova asgjë të re, asgjë origjinale. Ajo që u tha nga skena në Slavija është thënë tashmë shumë herë, është përtypur dhe ripërtypur. Kryesisht nuk i përgjigjet as të vërtetës, as realitetit. Edhe një herë, fjala më rrallë e përdorur ishte demokracia, ndërsa secili folës e përmendi Kosovën disa herë. Fjalë boshe. Floskulë. Iluzion”, ka shkruar Protic.