Profesoresha universitare, Vjosa Sadriu-Hamiti, njoftoi se akademikja Justina Shiroka Pula u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në një postim në Facebook, ajo tha se ASHAK sot bëri histori me zgjedhjen e një gruaje në krye të institucionit më të lartë të dijes dhe të shkencës në Kosovë.
“Ajo është gruaja e parë në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Kjo zgjedhje është fitore e dijes, e punës së palodhshme dhe e meritës. Justina Pula është dëshmi se shkenca nuk ndërtohet me privilegje, por me përkushtim, disiplinë dhe këmbëngulje. Faleminderit që hap rrugë, që vendos standarde dhe që u tregon brezave të rinj – veçanërisht grave – se majat akademike arrihen me punë, zell dhe integritet”, shkroi ajo.
ASHAK ende s’ka dalë me një njoftim zyrtar për këtë ngjarje
Ndërkohë, edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka shkruar për ngjarjen që e cilëson si ‘historike’, që në krye të AShAK-ut, është zgjedhur zonja Pula.
Ajo shkruan:
Historike!
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës zgjodhi sot Justina Shiroka Pulën për Kryetare, gruan e parë që merr drejtimin e këtij institucioni.
Zonja Pula, gjatë gjithë jetës së saj, ka thyer barriera dhe paragjykime, duke hapur dyer e shtigje për vajzat e reja. Me punën, guximin dhe integritetin e saj, ajo ka dëshmuar se dija dhe përkushtimi nuk njohin kufij.
Falë shembullit të zonjës Pula, sot vajzat e reja guxojnë të kenë ëndrra më të mëdha për veten dhe për të ardhmen.
Faleminderit, Justinë.














