I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin ishte aktivisti i shoqërisë civile, Dibran Hoxha.
Hoxha ka theksuar se liderët tanë, pavarësisht numrave të disponueshëm, nuk po arrijnë të krijojnë një qeveri të re, duke theksuar mungesën e guximit dhe përgjegjësisë nga liderët politikë.
Sipas tij pas vizitës së presidentit ukrainas Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë, asnjë lider në Kosovë nuk ka guxuar të përballet me ndikimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila mund të ketë një ndikim të madh në formimin e institucioneve të reja.
“Sidomos mas skenës të Zelenskyt që e kanë pa në Shtëpinë e Bardhë, unë mendoj që asnjëri prej liderëve nuk e ka guximin me u përballë me atë uragan që vjen prej Amerike, dhe kjo nëse ndodh dhe krejt rrethanat kanë me na dërgu neve dikur te një shpjegim se pse po ndodh zvarritja e mosformimit të qeverisë kur numrat janë aty. Politikanët tanë nuk janë të aftë me marrë përgjegjësinë që ju takon në kohën dhe në rolin që ata përfaqësojnë”, tha ai.
Hoxha theksoi se LVV për të shmangur marrjen e përgjegjësisë, mund të vendos që të shtyjë opozitën ta bëjë qeverinë dhe më pas të krijojnë ata një marrëveshje që do ti dëmtonte interesat e qytetarëve, në këtë mënyrë LVV në opozitë do të fitonte një rritje.
“Secila, në mos me i hi në hak PDK po doket që nuk e ka reflektu në masë të madhe atë lloj mosguximi, por VV dhe LDK më shumë, LDK me përqindjen që e ka edhe mundet me u justifiku deri diku por VV me 42% me thënë me forma të tërthorta që nuk ka guxim është mos me marrë përgjegjësinë që i takon, dhe me kalkulu mbi një situtatë që thotë se ndoshta është më mirë që me i shty opozitën me bë qeverinë, dhe me bë ata një marrëveshje të dëmshme, dhe cka bëjmë na në opozitë dhe në situata të jashtëzakonshmë kemi dëshmu se rritemi dhe rritemi prap. Nëse ky është kalkulimi i LVV unë mendoj që ata duhet me marrë një goditje edhe më të fortë sesa që e kanë marrë me humbjen e 10% që e kanë prit që do e mbajnë atë trup elektorale që nuk e mbajtën,” u shpreh Hoxha.
Ai shton se LVV dhe PDK mund të krijonin një balancë të mundshme dhe të tejkalonin edhe situatën e cila na vjen pas një viti me pozitën e presidentës, por thotë se nuk po shihet që ka vullnet në asnjë drejtim.
Ndër të tjera ai thekson se ligjërimi i Lëvizjes Vetëvendosje është i fortë, ku ky ligjërim sipas tij arriti ti mbajë 400 mijë votues.
“Unë mendoj që LVV edhe PDK për shkak të numrave kishin mujt edhe me qenë një lloj balancusi për njera tjetrën, edhe me tejkalu situtatën që na vjen pas një viti me pozitën e presidentës, edhe në tema të mëdha mendoj se kish mujt me u kriju një lloj balanci, mirëpo nuk po shihet që ka vullnet në asnjë drejtim dhe po shihet që këta po dëshirojnë me ia lënë fajin njëri tjetrit kur bënë gabime. Ligjërimi i LVV është i fortë, e ka majt 400 mijë votshin. Unë mendoj që LVV tenton vazhdimisht qarje shoqërorë që ta mbajë ligjërimin, për me mbajt rrëfimin”, theksoi ai.
Sipas tij, LDK ka vendos që ta krijojë një identitet që i ka humbë tash e 20 vite, sepse herë i kanë thënë patericë e LVV e herë e PDK, kurse tash po mundohet të këmbëngulë në një pozicion dhe të krijoj një identitet.
Ai shton se krisjet brenda kësaj partie mund të jenë fillimi i fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe jo presionet nga jashtë.
“LDK ka vendos përfundimisht, edhe kur goditet me gjykimin që në situatë dhe në rrethana të jashtëzakonshme për vendin ju nuk po jeni qaq burrështetas, ata kanë vendos me pranu edhe këtë gjykim vec për faktin që gabimet e të kaluarës mos me i përserit. Domethënë kanë vendos me i mbajt përqindjen që i kanë dhe nuk po e thonë shumë qartë, por me fjalë të tërthorta që na do jemi në opozitë. Faji nëse gjuhet prej PDK ka sens, se thotë na dështëm me LDK si opozitë dhe me rrëzu Albin Kurtin por nuk u bë, tash për intersa madhore na është dashur që të shkojmë me LVV. LDK tash po mundohet me kriju një identitet që i ka humbë tash e 20 vite, se herë i kanë thënë patericë e VV herë e PDK, e tash po mundohet me këmbngulë në një pozicion dhe me kriju identitet. Këto krisje që nisen para pak javësh me u inicu prej Avdullah Hotit e grupit që është brenda LDK mendoj që kanë me kanë fillimi i fundit të LDK krisja dhe qarja e brendshme jo presionet prej jashtë”, u shpreh ai.
Hoxha mendon se vonesat në krijimin e qeverisë janë të lidhura me një mungesë të vullnetit të vërtetë për të marrë përgjegjësinë dhe për të punuar për interesat e shtetit, ndërsa situata aktuale mund të çojë në një mundësi të re për zgjedhje të parakohshme.
“Nëse si kisha pa eskilimet e fundit të VV, që ka pushtetin dhe i ka numrat, po kqyr me qit pengesa nëse si kisha pa këto indikacione kisha thënë qeveri, por kur po i shoh këto indikacione ma shumë po më dërgojnë ka zgjedhjet sesa nga qeveria”, përfundoi Hoxha, shkruan GazetaBlic.