Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, ku është rikonfirmuar mbështetja e palëkundur e Shqipërisë për Kosovën.Në një postim në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se biseda ishte e ngrohtë dhe miqësore, ndërsa theksoi marrëdhënien vëllazërore dhe lidhjen e veçantë mes dy vendeve.
Ai nënvizoi se Kosova mbetet një prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm i politikës së jashtme të Shqipërisë, duke shtuar angazhimin për thellimin e partneritetit strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.Hoxha vlerësoi gjithashtu zhvillimet e fundit në raportet me Bashkimin Evropian, përfshirë heqjen e masave kufizuese, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të Kosovës në rrugën evropiane, me pritshmëri për hapa të tjerë pozitivë, si marrja e statusit të vendit kandidat.
Gjatë bisedës, të dy palët u dakorduan për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe avancimin e projekteve madhore në fusha si ekonomia, infrastruktura, arsimi, kultura, siguria dhe diplomacia.Ministri shqiptar theksoi gjithashtu mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë zgjerimin e njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Në fund, Hoxha ritheksoi se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me Kosovën, në funksion të një vizioni të përbashkët për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të rajonit.













