Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka vlerësuar se lëvizja e deputetes tjetër të ish-këtij grupi parlamentar, Doarsa Kica-Xhelili, në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), nuk duhet të përcjellet me kritika.
Humolli, për lajmi.net ka thënë se subjekti politik LVV e priti me gëzim kalimin e Adelina Graincës nga PDK-ja në mazhorancë. Kalimi i Kica-Xhelilit në LDK, sipas deputetit të VV-së duhet t’i shërbejë si hapësirë për reflektim fraksionit politik që përfaqëson.
Tutje, ai ka thënë se ishin kandidatët për deputetë që i sollën vota subjektit politik në udhëheqje, e jo e kundërta.
“Kandidatët për deputetë i kanë sjellë vota VV-së, e jo VV-ja kandidatëve. Kur largohen nga VV, atëherë në rend të parë duhet të analizohet në grup ku janë arsyet që është larguar deputetja. Kosova është një shtet demokratik dhe nuk ka mundësi askush me detyrua dikënd me qëndrua diku pa vullnet. Ne jemi gëzua kur na erdhi [deputetja] nga PDK-ja, tani duhet me reflektu pse na ikun”, deklaroi deputeti Humolli për mediumin.
Humolli më herët i ka dalë kundër qëndrimit të VV-së për mos-futjen e veteranëve në Ligjin për Paga.
Përgjatë së enjtes, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zyrtarizuar kalimin e deputetes Kica-Xhelili në partinë politike që kryeson.
Ky kalim politik është përcjellë me kritika edhe nga ish-bashkëpartiakët e saj nga Lista ‘Guxo’. Në vagonin e kritikave hipi edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e Haxhi Avdyli.