Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së me të akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Vselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin është marrë vendim që edhe një personi t’i njihet statusi i viktimës pjesëmarrëse duke e quar kështu në 157 numrin e viktimave në këtë rast.
Sipas vendimit të trupit gjykues, thuhet se ndonëse ka kaluar afati për pranimin e vikamave pjesëmarrëse në këtë rast, mund të bëhen përjashtime nëse ka arsye të vlefshme.
Sipas vendimit, ky person kishte aplikuar me 21 mars 2025 për të marrë pjesë në proces dhe kishte thënë se vite më parë përmes lajmeve e ishte informuar për këtë proces por kurrë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ky person kishte thënë se procesi në këtë rast ka qenë i vështirë dhe ka të drejtë kompensimi.
“Zyra për Viktimat pati një takim të mëtejshëm me Viktimën 303/06 më 11 prill 2025 lidhur me masat mbrojtëse; (iv) ndonëse para [E REDAKTUAR], Viktima 303/06 ishte në dijeni për mundësinë e pjesëmarrjes si viktimë në procedurë, aplikanti nuk ishte informuar në mënyrë të plotë dhe as i këshilluar siç duhet [E REDAKTUAR] për procesin. Për rrjedhojë, aplikanti nuk ishte në gjendje të aplikonte brenda afatit të vendosur nga Paneli, për shkak të një neglizhence të brendshme për të cilën aplikanti nuk është përgjegjës”, thuhet në vendim.
Si rrjedhojë, paneli ka konstatuar se arsyet që e quan këtë person në aplikim të vonuar ishin jashtë kontrollit të tij.
Në vendimin e tij, trupi gjykues është shprehur i bindur se aplikanti është viktimë e krimeve që pretendohet se janë kryer në një vendndodhje të identifikuar në aktakuze e po ashtu edhe gjatë periudhës kohore për të cilën flet aktakuza.
“Trupi Gjykues është i bindur se ekziston një provë prima facie që Viktima 303/06 është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm dhe trajtimit mizor nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”), të pretenduara si të kryera në [E REDAKTUAR] ndërmjet 18 nëntorit 1998 dhe 25 marsit 1999”, thuhet në vendim.
Vec kësaj, thuhet se në parim ata janë të bindur se kjo viktimë ka pësuar dëmtim fizik si rezultat i keqtrajtimit gjatë ndalimit po ashtu edhe dëmtim mendor si pasojë e krimeve të pretenduara.
Viktima kishte kërkuar që të mos zbulohet ndonjë informacion identifikues për publikun gjë e cila është aprovuar nga trupi gjykues.
Kjo viktimë, ngjashëm sikurse viktimat e tjera në këtë rast do të përfaqësohen nga i njëjti avokat.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.