Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Tevide Imeri, ka folur për Front Online duke folur për menaxhimin e sektorit shëndetësor, ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj Qeverisë aktuale, duke thënë se situata në spitale është alarmante.
“Me këtë qeveri nuk kemi qenë të kënaqur as sa kanë qenë duke qeverisur, e lëre më tani që janë në detyrë. Çdo ditë ka mungesa të materialeve bazike jetësore në QKUK’’, ka theksuar ajo.
Sipas Imerit, pacientët janë të detyruar të blejnë vetë materiale që duhet të sigurohen nga institucionet publike.
“Ka shumë ankesa të pacientëve, ka mungesë të materialeve bazë, siç janë penjtë kirurgjikalë. Në shumë klinika nuk ka fare materiale shëndetësore dhe pacientët detyrohen t’i blejnë vetë’’, ka thënë Imeri për Front Online.
Në fund, Imeri ka përfunduar se shëndetësia kosovare gjendet në krizën më të rëndë të pasluftës dhe se pa funksionimin e institucioneve shtetërore, nuk mund të pritet asnjë përmirësim.
“Shëndetësia mendoj se është në gjendjen më të keqe të shumë viteve. Kjo lidhet me mungesën e institucioneve. Nëse do të ishin formuar, mendoj që situata do të ishte rregulluar sado pak’’, ka thënë ajo.














