Nga viti 2013 deri në vitin 2019, 48 persona kanë marrë paga për gjashtë vite në shkollat e Mitrovicës së Veriut përmes kontratave që kishin nënshkruar me Komunën e Mitrovicës Veriore, shkruan “Mitropol”.
Të gjithë këta 48 persona kanë vazhduar të paguhen nga buxheti i Komunës së Mitrovicës Veriore deri në muajin qershor të vitit 2023, kohë kjo në të cilën në krye të Komunës ndodhet kryetari i ri, Erden Atiq, i cili u betua në këtë pozitë më 19 maj 2023, i cili me ardhjen në pushtet ndaloi së ekzekutuari pagat për këta 48 persona, pasi të njejtit sipas Komunës nuk kishin dëshmi që kanë vijuar punën në vendin e punës për të cilën janë paguar.
Këta 48 punëtorë janë paguar nga buxheti i komunës 32,083.90 euro në muaj, apo 385,006.80 euro çdo vit.
Kontratat në fjalë ishin kontrata të nënshkruara me Drejtorinë e Arsimit, në pozita të ndryshme në arsimin parashkollor, arsimin fillor dhe arsimin e mesëm. Disa nga këto kontrata ishin kontrata të përhershme e disa tjera ishin kontrata të përkohshme.
Madje, rastin Komuna e kishte adresuar tek krimet ekonomike në Polici dhe tutje në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Në lidhje me këtë vendim për ndalimin e ekzekutimit të pagave nga Komuna, disa nga punonjësit janë ankuar tek Inspektorati i Punës.
“Mitropol” ka arritur të siguroj raportin zyrtar të Inspektoratit të Punës të lëshuar ndaj ankesës së parashtruar nga njëri punonjës i arsimit kundër Drejtorisë së Arsimit me të cilët kishte të lidhur kontratën nga 1 prilli i vitit 2018.
“Nga dokumentet e prezantuara nga palët në procedurë, në Inspektoratin e Punës, konstatojmë se parashtruesi i kërkesës me datën 01.04.2018 ka lidhur Kontratë të Punës në afat të pa caktuar, në pozitën Profesor, e nënshkruar me Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe i njejti deri në muajin Qershor 2023, ishte paguar me regull çdo muaj, dhe me datën 25.07.2023, Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, z.Erden Atiq, ka nxjerrur Vendim me nr.prot. 650/031, më të cilin ka vendosur që t’i ndalet paga Mesimëdhënsit (Emri dhe Mbiemri).”, thuhet në pjesën hyrëse të konstatimit nga Inspektorati i Punës.
Tutje, Inspektorati konstaton se Komuna e Mitrovicës Veriore, respektivisht kryetari Erden Atiq, me vendimin për ndaljen e pagës, duke e deklaruar me pagën zero, në rastin e këtij mësimdhënësi, emrin e të cilit e posedon redaksia e “Mitropol” ka nxjerr një vendim me të meta juridike, sepse të njejtit i mungon arsyetimi dhe këshilla juridike, pasi që vendimi i lartëcekur, ishte në kundërshtim me dispozitën e nenit 47, paragrafi 1, pika 1.3 dhe pikën 1.4 dhe nenin 48 të Ligjit 05/L. -031 për Procedurën e Pergjithshme Administrative, sepse siç është cekur edhe më lartë vendimit me numër protokolli 650/031, i datës 25.07.2023, i mungon arsyetimi dhe këshilla juridike.
Gjithashtu, bazuar në raportin e Inspektoratit të Punës, personit në fjala paga iu është ndalur në kundërshtim me dispozitën e nenit 55, paragrafi gjashtë (6) të Ligjit Nr. 03/L-212 i Punës, sepse duke u bazuar në këtë dispozitë, përderisa kontrata e punës në afat të pa caktuar, e lidhur me datën 01.04.2018, në mes të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe mësimëdhënësit është ende në fuqi, dhe si punëdhënësi ashtu edhe i punësuari e kanë për obligim t’i përmbahen kontratës së punës, përderisa e njejta është në fuqi.
Inspektorati mes tjerash konstaton se edhe kërkesa e Komunës ndaj mësimdhënësve për ta dëshmuar evidencën e vijueshmërisë është përgjegjësi e vet punëdhënësit, në këtë rast DKA-së dhe jo e të punësuarëve.
“Andaj, konstatojmë se subjekti juridik “Komuna e Mitrovicës së Veriut”, ka cenuar dispozitën e nenit 55 paragrafi 6 të Ligjit 03/L-212 të Punës, sepse nuk ia ka paguar pagën të punësuarit së paku një herë në muaj, konform kontratës së punës, pasi që paga duhet paguhet në afatet e përcaktuara me Kontratë Kolektive, Aktet e Brendshme të Punedhenësit ose Kontratën e Punës, më së paku një (1) herë në muaj dhe përderisa Kontrata e Punës ështe në fuqi, punëdhënësi është i detyruar përveç pagesës së pagës, konform kontrates së punës, obligohet edhe t’i krijojë kushte të punës, në menyre që mësimëdhenësi të kryej detyrat e punës, dhe nëse i punësuari edhe pas krijimit të kushteve vazhdon të mos i kryej detyrat e punës, atëherë, Komuna e Mitrovicës së Veriut, mundet të ia ndërprejë kontratën e punës, konform dispozitave të Ligjit 03/L-212 të Punës.
Ndërsa sa i përket realizimit të pagesave të pagave të pa paguara nga muaji korrik 2023, parashtruesit të ankeses i udhëzohet që t’i drejtohet gjykatës kompetente me padi për realizimin e pagave.”, thuhet më tej në konstatimin e Inspektoratit.
Siç mëson “Mitropol” edhe në rastet kur personat kishin kontrata të përkohshme një vjeçare, Komuna e Mitrovicës Veriore, respektivisht kryetari Erden Atiq ka vendosur t’ua ndërpres ekzekutimin e pagës ende pa i skaduar kontrata.
Së paku pesë persona kanë ushtruar ankesën e njejtë ndaj kryetarit Atiq, vendimin për njërën prej të cilave arriti ta siguroj “Mitropol”, gjersa pritet që Inspektorati të vendos në favor të palëve të dëmtuara edhe gjatë ditëve në vijim.
Disa nga personat e dëmtuar kanë ushtruar edhe kallxim penal në Prokurori ndaj kryetarit Atiq, pasi sipas tyre i njejti ka keqpërdorur detyrën zyrtare me vendimin arbitrar për ndaljen e pagave të tyre.
“Këtë pagë ne banorët shqiptarë të punësuar e kemi pasur burim të vetëm jetese. Tash s’po arrijmë ta paguajmë as këstin e kredisë. Me ardhjen e kryetarit nga partia Vetëvendsoje, parti shqiptare, ne banorët shqiptarë kemi mbetur edhe pa bukën e gojës”, thotë njëri nga personat të cilëve iu ndal ekzekutimi i pagës nga qershori i këtij viti.
Duhet cekur se shteti i Kosovës vitin e kaluar ka shpenzuar rreth 800 mijë euro nga buxheti për t’i paguar pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” të cilët gjatë trazirave të fundit në veri u klasifikuan si organizatë terroriste.
Serbët e sistemuar në institucione të Kosovës bazuar në Marrëveshjen e Brukselit, po vazhdojnë të paguhen edhe pse nuk shkojnë në punë. 129 serbë te kësaj organizate, e cila është shpallur terroriste nga Qeveria, janë paguar për çdo muaj.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi katër muaj më parë kishte thënë për “Top Channel” se vlerëson se qeveria duhet të dalë me sqarime për këtë çështje.
“Qeveria e Kosovës duhet të dalë me sqarime rreth kësaj çështje, përkatësisht se si ende po paguhen pjesëtarë të disa organizatave të cilat Qeveria i konsideron si organizata terroriste. Mirëpo, mënyra nëse e shohim se si janë shpallur këto organizata si organizata terroriste nga ana e Qeverisë së Kosovës lë shumë për të dëshiruar. Kjo për shkak se në secilin rast kur shpallet një organizatë terroriste, çështjet duhet të jenë të bazuara në fakte dhe në prova, përkatësisht duhet të tregohet se si operon një organizatë e caktuar, në cilat territore, cila është struktura e saj, kush është në krye të strukturës së saj. Dhe nuk mund që një organizatë të shpallet pa u bazuar në fakte dhe prova si organizatë terroriste. Ku duhet të ketë një procedurë të mbështetjes së vendimit duke përfshirë koordinimin edhe me partnerët ndërkombëtarë”, kishte deklaruar Shala, Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Kujtojmë se në kuadër të regjionit verior, Agjensia për Menaxhim të Emergjencave e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka punësuar afro 200 punonjës, pjesa dërmuese e të cilëve po vazhdojnë të marrin paga ende pa dalur as edhe një ditë në vendin e punës, rast ky për të cilin “Mitropol” do publikoj një hulumtim të gjatë ditëve në vijim.