Drejtoria e Inspektoratit në Prishtinë ka nisur një aksion për heqjen e reklamave të vendosura pa leje në hapësirat publike, duke përfshirë sipërfaqet e gjelbëruara, trotuaret dhe shtyllat elektrike.
Sipas kësaj Drejtorie, qëllimi kryesor i këtij aksioni është largimi i reklamave ilegale dhe lirimi i hapësirave publike, me qëllim sigurimin e lëvizjes së lirë dhe më të sigurt për këmbësorët.
Inspektorati ka apeluar tek qytetarët dhe bizneset që të respektojnë rregullat dhe të mos vendosin reklama pa leje.
“Aksioni do të vazhdojë deri në largimin e të gjitha reklamave, ndërsa për të gjithë ata që rivendosin reklama pa leje do të shqiptohen gjoba”, thuhet në njoftim.













