Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendim për diskualifikimin e operatorit ekonomik N.N.T. “Korabi” nga pjesëmarrja në prokurimin publik për një periudhë tre mujore. Ky vendim vjen pas kërkesës së Komunës së Drenasit, e cila pretendoi se kompania ka paraqitur dokumente të rreme.
Mashtrimi me dëshmitë e inxhinierit
Sipas dosjes së lëndës, Komuna e Drenasit ka denoncuar operatorin “Korabi” për aktivitetin e prokurimit “Rehabilitimi i rrugës dhe ndërtimi i trotuarit Arllat-Negrovë dhe Vuqak”.
Inxhinieri i përfshirë në këtë rast, Vehbi Goxhuli, ka deklaruar zyrtarisht se:
- Nënshkrimi i tij në kontratën e paraqitur nga kompania është falsifikuar.
- Nuk i ka dhënë asnjë autorizim kompanisë “Korabi” që të përdorë dokumentet e tij për këtë projekt.
- Ka pasur presion dhe frikësim nga kompania për të dhënë deklarata të rreme.

Si u zbulua falsifikimi i kontratës
Pasi pranoi ankesën nga Komuna e Drenasit, OSHP nisi një hetim aduke i drejtuar pyetje inxhinierit Vehbi Goxhuli për të verifikuar vërtetësinë e dokumenteve.
Inxhinieri Vehbi Goxhuli, në përgjigjet e tij dërguar OSHP-së më 22 nëntor 2025, mohoi kategorikisht lidhjen me projektin e Drenasit
Inxhinieri deklaroi se dokumenti që kompania “Korabi” paraqiti nuk ishte origjinali, pasi faqja e parë ishte modifikuar pa autorizim për të ndryshuar kohëzgjatjen e kontratës
Ai theksoi se kompania nuk kishte autorizim për të përdorur dokumentacionin e tij për projekte të tjera jashtë një marrëveshjeje të mëparshme në Obiliq
“Në dokument vërehen ndryshime të bëra pa autorizimin tim, duke përfshirë pretendimin kontrata është “në kohë të pacaktuar”, çka nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes sonë“, tha ai.
Inxhinieri Vehbi Goxhuli, më tutje në email-in e tij dërguar Komunës, deklaron se kompania në fjalë ka nisur të kontaktojë me qëllim të ushtrimit të presionit dhe frikësimit.
“Duke më kërkuar që të jap deklarata të rreme, kinse kam marrëveshje të re me kompaninë Korabi”.
Arsyetimi i kompanisë
Kompania “Korabi” u mbrojt duke pretenduar se inxhinieri kishte kontratë në kohë të pacaktuar dhe se i ishin paguar rregullisht pagat dhe kontributet deri në shtator të vitit 2025.
Megjithatë, inxhinieri sqaroi se ato pagesa lidheshin vetëm me një projekt tjetër në Obiliq dhe se faqja e parë e kontratës për Drenasin ishte modifikuar pa autorizim.
“OE Korabi, në përgjigje te kërkesës se OSHP-se, me daten: 15.09.2025, ka dhene faktet dhe argumentet e veta lidhur me pretendimet e AK-se duke e kundershtuar ne teresi pretendimin e AKse dhe nder te tjera ka deklaruar se një ndër faktet më të rëndësishme të cilin ky inxhinier nuk e shpërfaqë, por që vërtetohet nga Kontrata e Punës, është fakti se kontrata efektin e saj e fillon me datë 17.5.2024 dhe është kontratë në kohë të pacaktuar, që dëshmohet me Nenin 3 të saj, ku thuhet se: “marrëveshja e kontratës mbi vepër nga data 17.5.2024 deri në kohë të pacaktuar, pra palët kontraktuese u pajtuan që të lidhin marrëveshje në kohë të pacaktuar”. Sipas OE Korabi i njëjti në deklaratat e tij nën betim thekson se kontrata e tij ka qenë vetëm për një projekt, mirëpo nga Kontrata e Punës rezulton se e njëjta është lidhur në kohëzgjatje të pacaktuar, që nënkupton se kontrata do të jetë valide deri në ndërprerje në mënyrë të njëanshme apo me marrëveshje nga Operatori Ekonomik dhe inxhinieri“, thuhet aty.
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimit të kërkesës së autoritetit kontraktues, arsyeshmërisë së dhënë, provave të ofruara nga OE Korabi, deklaratave të inxhinierit V. Goxhuli, diskutimeve dhe shoshitjes së provave, paneli shqyrtues vlerëson se ka prova të pakontestueshme me të cilat dëshmohet se OE Korabi ka mashtruar apo falsifikuar me dëshmitë e dorëzuara.
“Paneli shqyrtues merr parasysh faktin se OE Korabi po ashtu ka dorëzuar dëshmi se komunikimi/bashkëpunimi me inxhinierin në fjalë ka vazhduar edhe gjatë vitit 2025, sepse inxhinieri ka pranuar pagë mujore deri në muajin shtator të këtij viti nga OE Korabi dhe të njëjtit i janë paguar edhe kontributet në ATK, dhe njëherësh OE Korabi ka bashkëngjitur komunikimet elektronike që ka pasur me inxhinierin gjatë vitit 2025, ndërsa në anën tjetër inxhinieri deklaron se vetëm gjatë vitit 2024 kemi pasur bashkëpunim. Duke qenë se edhe inxhinieri ka pranuar përfitime materiale nga kjo kontratë për të cilën tani po e konteston, paneli vendos që OE diskualifikohet vetëm për periudhën tre mujore nga data 14.01.2026 deri më 14.04.2026”, thuhet në vendim./Insajderi.org/














