Inxhinieri i “Trepçës”, Xhevdet Tahiri, ka reaguar pas raportimeve për prezencën e drejtorit të ndërmarrjes, Shyqri Sadiku, në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje që u mbajt në Shipol të Mitrovicës pas mesnatës.
Tahiri ka shprehur shqetësimin e tij duke theksuar se Sadiku, i cili jeton në Vushtrri, nuk ka asnjë arsye zyrtare për të qenë në një aktivitet të tillë në orët e vona të natës në Mitrovicë. Sipas tij, kjo ngre dyshime për përfshirje të mundshme në ndikim elektoral, përmes premtimeve për vende pune në ndërmarrjen “Trepça”.
Ai ka kërkuar që organet kompetente, përkatësisht Policia e Kosovës, të ndërhyjnë dhe të hetojnë rastin, duke e konsideruar këtë veprim si të papranueshëm për një zyrtar publik.
Tahiri ka kujtuar edhe dispozitat ligjore që parashohin dënime për çfarëdo forme të ndikimit të paligjshëm në procesin e votimit, duke përfshirë presionin ekonomik, kërcënimin apo dhënien e ryshfetit — me dënime që variojnë nga një deri në pesë vjet burgim.
Ai ka bërë thirrje publike që institucionet të veprojnë menjëherë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të garantuar lirinë e votës së qytetarëve.