Një zyrtar i lartë iranian ka kritikuar ashpër propozimet e paraqitura nga fuqitë evropiane gjatë takimit të fundit në Gjenevë, duke i cilësuar ato si “jorealiste” dhe të papranueshme për Teheranin.
Sipas tij, kërkesa për pasurim zero të uraniumit – e paraqitur nga ministri i Jashtëm britanik, David Lammy, si një pikënisje për negociatat – është “një rrugë pa krye”, që nuk do të çonte drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.
“Këmbëngulja në qëndrime të njëanshme nuk do të afrojë Iranin dhe Evropën,” tha zyrtari në një deklaratë për agjencinë Reuters. Ai shtoi se Irani nuk do të negociojë për kapacitetet e tij mbrojtëse, përfshirë programin raketor, duke theksuar se siguria e vendit është e panegociueshme.
Megjithatë, ai u shpreh se Irani do t’i shqyrtojë propozimet dhe do të japë përgjigje në takimin e radhës, me shpresën për një marrëveshje që do të ulë tensionet dhe do të hapë rrugën drejt një zgjidhjeje diplomatike të qëndrueshme.