Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka kritikuar ashpër qasjen e partisë në pushtet ndaj situatës së bllokimit institucional, duke thënë se arsye politike për zgjatjen e procesit nuk ka, ndërsa teknike po.
Humolli për GazetaBlic tha se, Vetëvendosje po synon të zvarrisë fazën aktuale të krizës politike me qëllim që t’i ruajë militantët e saj dhe të fajësojë partitë e tjera për bllokadën.
“Arsye politike nuk ka, kurse arsye teknike për me zgjatë këtë fazë të procesit për të shkuar në zgjedhje po. Por interesi është që me i ruajtë militantët, duke i fajësuar partitë tjera. Unë besoj se individi te VV-ja nuk çon peshë,” tha Humolli.
Ai e krahasoi situatën me procedurat diplomatike, ku një shtet, ndonëse ka të drejtë të dërgojë një ambasador, ai nuk mund të emërohet nëse nuk pranohet nga shteti mikpritës.
“Në praktikë, nëse Kosova e dërgon një ambasador në SHBA ose në Gjermani, pavarësisht të drejtës për me dërguar ambasadorin që beson se e përfaqëson vendin, nëse shteti mikpritës nuk e pranon atë individ, ai nuk mund të bëhet ambasador në atë shtet, dhe Kosovës i duhet të dërgojë një individ tjetër,” shpjegoi ai.
Sipas Humollit, i njëjti parim vlen edhe për propozimet e Vetëvendosjes brenda Kuvendit: ata mund të propozojnë, por nuk mund ta imponojnë pranimin nga deputetët.
“Është e njëjtë me situatën ku VV-ja ka të drejtë të propozojë, por gjithashtu është e drejtë e deputetëve ta pranojnë ose jo,” theksoi ai.
Në fund, Humolli vlerësoi se mënyra si po menaxhohet ky proces ka dëmtuar jo vetëm vendin, por edhe Vetëvendosjen si subjekt politik.
“Besoj se me këtë lojë, VV-ja e ka dëmtuar Kosovën dhe veten si subjekt politik,” përfundoi ai për GazetaBlic.