Ish i burgosuri politik, Basri Ibrahimi, ka dalë me një mesazh publik për të përkrahur nipin e tij, Shkëlqimin, në garën për Asamblenë Komunale të Mitrovicës.
Ibrahimi ka thënë se e ndjen obligim moral dhe familjar të flasë për nipin e tij, të cilin e cilëson si një të ri intelektual, punëtor dhe të përkushtuar për të mirën e qytetit dhe vendit.
“Shkëlqimi është rritur me vlera të shëndosha familjare dhe atdhetare. Ai është një i ri i arsimuar, gjithmonë i gatshëm të dëgjojë, të mësojë dhe të kontribuojë. Çdo bisedë me të është reflektim dhe frymëzim për ndërtimin e një shteti të drejtë dhe funksional”, ka thënë Ibrahimi.
Ai shtoi se nipi i tij ka respekt të madh për sakrificat e brezave që kontribuuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si një person human e falënderues.
Në fund, Basri Ibrahimi ka bërë thirrje për mbështetje ndaj kandidaturës së nipit të tij Shkëlqimit, i cili garon me numrin 4 në listën e Partisë Demokratike të Kosovës për Asamblenë Komunale të Mitrovicës, si dhe për kandidatin për kryetar, Dr. Arian Tahirin, të cilin e ka quajtur “lider vizionar dhe të arsimuar”.