Ish-kryenegociatori i dialogut, Avni Arifi, e ka komentuar vizitën e kryeministrit, Albin Kurti në Sarajevë.
Siç vlerëson Arifi, vizita e tij atje i duhej Kosovës më së paku, pas pozimeve të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, vetëm pak kohë që kur Kosova u sulmua me eksploziv në Ibër Lepenc.
”E çuditshme dhe e pakuptueshme se çfarë po i duhet Kryeministrit Kurti vizita në Sarajevë. Më pak se një javë na ndajnë nga sulmi terrorist në kanalin e Ibrit, pas të cilit nuk pamë as krijim të shtabit të krizës, as menaxhim të duhur të situatës e as fushatë informuese ndaj të gjitha vendeve të botës për veprimet e Qeverisë serbe. Praktikisht, sulmi, përveç në prokurori dhe hetuesi, siç duket do të lihet në harresë, duke i lënë Serbisë të gjitha mundësitë e abuzimit me të vërtetën.
Përderisa kjo situatë vazhdon në Kosovë, Kurti pozon bashkë me Vuçiqin dhe prej aty synon të udhëtojë në Sarajevë. A mund të jetë lobuese kjo vizitë? Duke marrë parasysh reagimin e serbëve, përgjigjja është jo. A e ndihmon afirmimin e Kosovës në çfarëdo varianti? Përgjigjja është jo. A po zhvillon takime për të promovuar potencialin ekonomik të Kosovës? Përgjigjja është jo.
Shtrohet pyetja: çfarë do në Sarajevë kryeministri Kurti? Çfarë filmi pret t’i prezantojë Kosovës? E çuditshme dhe e pashpjegueshme, por ditët në vijim mbase mund të mësojmë më shumë. Një gjë po dihet – Kosova po lodhet çdo ditë e më shumë nga filmat e Kurtit”.