Për herë të nëntë, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën ta konstituojnë organin më të lartë legjislativ të vendit.
Seanca e së enjtes u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari pas dështimit të votimit për anëtarët e komisionit që do të numëronte votat për kryeparlamentarin, pas një përpjekjeje për ta ndryshuar formën e votimit nga i hapur në të fshehtë.
Nga 56 deputetë që morën pjesë në votim për komisionin, vetëm 55 votuan pro, një kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.
Për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm, Dehari njoftoi ndërprerjen e seancës, duke caktuar vazhdimin e saj më 3 maj.
Ndryshimi i mënyrës së votimit u cilësua si i kundërligjshëm nga partitë opozitare, përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe, të cilat refuzuan të marrin pjesë në votimin e fshehtë.
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasa Shala, e cilësoi vendimin e Deharit si shkelje të qartë procedurale, duke theksuar se kryesuesi nuk ka të drejtë të ndryshojë mënyrën e votimit pa miratim nga Kuvendi.
Sipas tij, gjithashtu edhe ndërprerja e menjëhershme e seancës ishte një tjetër gabim, pasi duhej lejuar propozimi nga Glauk Konjufca dhe më pas të shqyrtohej mundësia për vazhdim apo ndërprerje të seancës.
“Kam mendim që kryesuesi zoti Dehari, nuk ka njohuri në lidhje me proceduat si shkojnë. Në anën e majtë janë të ulur sekretaria, që e ndihmojnë të mos bëj shkelje kryesuesi… Ka bërë shkelje për shkak e fillimisht ka vendosur që thuajse të marr vendim të ndryshohet mënyra e votimit. Pasi nuk ka të drejtë ky si kryesues, ta ndryshoj mënyrë e votimi. Nga votimi i hapur në atë të fshehtë. Kjo mënyrë është e kundërligjshëm.
Dy, pasi që dështoi që komisioni të themelohet, atëherë e ndërpreu mbledhje, që gabim ishte. Është dashur t’i jepet fjala Glauk Konjufcës, të propozojë, të vazhdojë dhe atëherë të ndërkrehet seanca. Mirëpo ky e ndërpreu. Këto janë gabim elementare që duhet t’i di çdo kush aty. Mua më ka çudit sekretaria Kuvendit, që nuk ia ka tërhequr vërejtën, se u dashtë me vazhdu. Si duket është ka dirigjohet prej së larg”, ka thënë Shala në FIVE të Dukagjinit. /Dukagjini/