Ish ministri i mbrojtjes në Qeverinë Kurti Armend Mehaj ka shkruar për procesin në Gjykatën Speciale të Hagës ndaj krerëve të UÇK-së, transmeton Gazeta Online Veriu.info.
Mehaj ka thënë se beson fuqishëm në pafajsinë e çlirimtarëve dhe pret me padurim kthimin e tyre.
Postimi i plotë:
Shqiptarët kurrë nuk kanë tradhtuar dhe as kanë synuar tokat e huaja. Gjatë gjithë historisë sonë kombëtare, populli shqiptar ka luftuar vetëm për të qenë i lirë në tokën e vet dhe për të qenë i barabartë me kombet e tjera të lira në mbarë botën. Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë shqiptarët nuk u kanë shkaktuar tragjedi kombeve përreth.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet lufta më e pastër në historinë e konflikteve në gadishullin tonë. Drejtuesit dhe ushtarët e UÇK-së kanë bërë gjithçka që besa dhe nderi i shqiptarëve të mbeten të paprekura, në nivelin më të lartë të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.
Është fakt i njohur ndërkombëtarisht se Serbia dhe udhëheqja e saj kanë qenë një fatkeqësi për të gjithë fqinjët e saj, duke shkaktuar luftëra të përgjakshme, masakra të tmerrshme dhe krime të dokumentuara që arrijnë deri në nivelin e gjenocidit.
Përkundër kësaj, shqiptarët dhe çlirimtarët tanë nuk e kanë shkelur kurrë kodin e tyre të nderit, as në fushëbetejë, ku shpesh luftonin në kushte të pabarabarta. Ata janë të pafajshëm, sepse nuk kanë bërë asgjë më shumë sesa atë që çdo popull do të bënte nëse i rrezikohej liria dhe ekzistenca e tij kombëtare.
Krijimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës duhet të vlerësohet nga bashkësia ndërkombëtare si një akt i përgjegjshëm. Megjithatë, mënyra se si po veprohet sot, rrezikon të cenojë të drejtën për një proces të drejtë dhe të paanshëm. Fabrikimet e dëshmive nga institucionet serbe të sigurisë nuk duhet dhe nuk mund të pranohen si prova të vlefshme – veçanërisht pas deklarimeve publike për tentativën për vrasjen e senatorit zviceran Dick Marty nga shërbimi sekret serb.
Besojmë fuqishëm në pafajësinë e çlirimtarëve tanë dhe e presim me padurim kthimin e tyre në atdhe të lirë dhe me nderin e tyre të pastër.
Zoti e bekoftë Atdheun tonë! Zoti i bekoftë Aleatët tanë!