Një tjetër rast shqetësues është regjistruar në veri të Kosovës, ku dy ish-zyrtarë policorë janë përfshirë në një konflikt verbal që ka eskaluar në kanosje serioze.
Burimet ekskluzive të Sinjalit bëjnë me dije se viktima, Zoran Radunoviq, ka raportuar se më 22 korrik rreth orës 21:00, në fshatin Kajkov të komunës së Leposaviqit, ka pranuar mesazhe kërcënuese dhe fyese në telefonin e tij personal.
Sipas denoncimit, mesazhet i janë dërguar nga ish-kolegu i tij, Rade Radosavljeviq, person që në të kaluarën ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe që aktualisht jeton e punon në Kraljevë.
Në deklaratën e tij, Radunoviq ka sqaruar se përmbajtja e mesazheve përmban gjuhë fyese dhe kërcënime të drejtpërdrejta, të cilat e kanë alarmuar për sigurinë personale dhe e kanë shtyrë të kërkojë mbrojtje ligjore.
Prokurori i rastit ka urdhëruar që rasti të trajtohet si ‘Kanosje’, ndërsa hetimet janë në proces nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës.