Janë zbuluar detaje të reja lidhur me aksionin e madh të ndërmarrë sot nga Prokuroria Themelore në Prizren, i cili ka në fokus dyshime për keqpërdorime financiare në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Sipas raportimit të Kallxo.com, operacioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit dhe është drejtuar nga tetë prokurorë, nën udhëheqjen e Kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu.
Në listën e të dyshuarve janë 45 qytetarë, si dhe Drejtori Ekzekutiv i BKS-së dhe Drejtori i Financave. Ata dyshohen për përfitime të kundërligjshme përmes keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe shkeljes së besimit.
Sipas dyshimeve të hetimeve, rolin kryesor në dëmin që pretendohet se i është shkaktuar buxhetit të BKS-së, në vlerë mbi 1 milion euro, e kanë pasur dy ish-zyrtarë të lartë të kësaj byroje: Sami Mazreku, ish-drejtor ekzekutiv, dhe Valon Berisha, ish-drejtor i Financave.
Hetimet tregojnë se të dyshuarit kanë marrë të dhënat e 45 llogarive bankare të qytetarëve, përmes të cilave janë transferuar mjete financiare nga BKS, duke u bazuar në marrëveshje të parapërgatitura. Nga këto transaksione, Mazreku dhe Berisha dyshohet se kanë përfituar mijëra euro.
Po ashtu, sipas dyshimeve, ata kanë identifikuar qytetarë të përfshirë në aksidente trafiku, të cilëve u janë transferuar para me arsyetimin e kompensimit të dëmeve. Me këta persona janë lidhur marrëveshje sipas të cilave një pjesë e vogël e mjeteve u është lënë qytetarëve, ndërsa pjesa më e madhe e shumave të transferuara dyshohet se ka përfunduar tek dy ish-zyrtarët e BKS-së.
Në kuadër të këtij operacioni, Prokuroria e Prizrenit ka nisur bastisje të shumta në pronat e ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve. Bastisjet përfshijnë pronat e Sami Mazrekut dhe të paktën një ish-zyrtari tjetër të BKS-së.
Sipas Kallxo.com, dyshimet kryesore të këtij operacioni lidhen me manipulime të mundshme në procesin e kompensimit të dëmeve, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.












