Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka mohuar se ka bllokuar qasjen në emailin për komente dhe ankesa nga qytetarët, por ka pamundësuar komentet nëpër postimet në Facebook.
Kjo zyrë është në qendër të kritikave pas propozimit për ngritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind.
Ndaj këtij propozimi të premten ka dalë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që ka thënë se mund të ketë efekt në ngritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të tjera.
“Në lidhje me disa reagime nga qytetarët se kanë raportuar rreth vështirësive në lënien e komenteve dhe bllokime të sistemit të pranimit të komenteve gjatë periudhës së fundit, Zyra e Rregullatorit për Energji dëshiron të bëjë të ditur se të gjitha komentet e dërguara nga qytetarët janë marrë në shqyrtim dhe nuk ka pasur asnjë bllokimi të pranimit në e-mail adresën e dedikuar për komente”, thuhej në një reagim.
Duke u thirrur në transparencë, ZRrE-ja ka thënë se nuk ka pasur asnjë problem në sistemin e pranimit të komenteve.
“ZRRE-ja siguron qytetarët se çdo komunikim është trajtuar me seriozitet dhe se të gjitha ankesat dhe komentet janë regjistruar në sistemin e institucionit pa asnjë ndërprerje. Pas verifikimeve të kryera, rezulton se nuk ka pasur asnjë problem teknik në sistemin e pranimit të komenteve. Ne sigurojmë që të gjithë qytetarët dhe palët tjera që kanë dërguar komente do të kenë mundësi të marrin përgjigje rreth tyre”, thuhej më tej.
Ajo ka thënë se është e angazhuar për një komunikim të hapur dhe transparent me qytetarët dhe do të vazhdojë të ofrojë mundësinë për dërgimin e komenteve dhe ankesave.
Mirëpo që prej fundvitit 2024, ZRrE-ja ka bllokuar mundësinë që përdoruesit e Facebookut të komentojnë nëpër njoftimet që poston në këtë rrjet social.
Faqja e ZRrE-së në Facebook gjithashtu nuk ka lënë mundësinë e mesazheve në këtë rrjet social.