Inspektorati Policor ka arrestuar një zyrtar policor dhe rekomanduar suspendimin e 4 zyrtarëve të tjerë, nën dyshimin për përvetësim në detyrë të 24 paketave me cigare në vlerë prej 30 mijë euro
Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se zyrtari policor i arrestuar është Fatmir Uka.
Kurse katër kolegët e policit të arrestuar ndaj të cilëve IPK rekomandoi suspendimin janë: Arianit Çitaku, Jeton Ibrahimi, Kastriot Syla dhe A. S.
Veriu.info ka raportuar për këtë rast të dyshimtë, duke publikuar edhe video të cigareve që dyshoheshin se janë përvetësuar nga zyrtari policor Fatmir Uka.
Video Player
Po ashtu, Veriu.info ka publikuar për këtë rast edhe videon se si zyrtari policor Fatmir Uka e kishte kërcënuar me vrasje pronarin e cigareve Shkelzen Salihu, përderisa ky i fundit i thoshte “pse po mi vjedh cigaret.
Komunikata e Inspektoratit Policor:
IPK arreston një zyrtar policor e rekomandon suspendimin për katër zyrtarë tjerë
Prishtinë/Mitrovicë, 17 mars 2026
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore ndaj pesë zyrtarëve policorë të angazhuar në Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë në kuadër të Departamenti Kufitar të Policisë së Kosovës.
Bazuar në të dhënat fillestare hetimore dhe provat e siguruara deri në këtë fazë, ekziston dyshimi se zyrtarët policorë më 13 Mars 2026 gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.
Sipas dyshimeve fillestare zyrtarët policorë në këtë rast, pasi paraprakisht kishin sekuestruar mbi 100 paketa me cigare nga persona të dyshuar për kontrabandë brenda territorit të Republikës së Kosovës, dyshohet se i kanë përvetësuar 24 paketa me cigare, rreth 12,500 pako cigare në vlerë rreth 30.000 euro, kurse në Doganën e Kosovës i kanë dorëzuar vetëm 84 paketa me cigare të cilat janë dyshuar si të kontrabanduara.
Pas veprimeve hetimore një zyrtar policor është arrestuar dhe me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse katër zyrtarët tjerë janë duke u hetuar në procedurë të rregullt.
IPK në interes të hetimit dhe pasi që natyra e veprës penale që lidhet drejtpërdrejt me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe integritetin e zyrtarit policor i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për të pesë zyrtarët policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast.
Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në realizimin e mandatit të vet ligjor për hetimin e rasteve ku dyshimet bien mbi zyrtarët policorë dhe siguron opinionin publik se çfarëdo ankese e qytetarëve për përfshirje eventuale të zyrtarëve policorë në vepra penale do të trajtohet me profesionalizëm të plotë.












