Agjencia për Parandalimim e Korrupsionit ka informuar se procesi i deklarimit të pasurisë për vitin 2025 ka filluar më 1 mars dhe do të përfundojë më 31 mars.
Ky është një obligim ligjor për rreth 11,000 zyrtarë publikë në nivel vendi, të cilët janë të detyruar të deklarojnë pasurinë e tyre, në përputhje me ligjin për deklarimin e pasurisë.
Sipas të dhënave të fundit dhënë për Indeksonline deri më sot në orën 14:00, kanë deklaruar pasurinë 4,713 zyrtarë, ndërsa 1,813 të tjerë janë ende në procesin e deklarimit. Këto shifra tregojnë një progres të konsiderueshëm, por gjithashtu, apelohen të gjithë zyrtarët që ende nuk kanë përfunduar deklarimin, ta bëjnë atë sa më shpejt që është e mundur.
Agjencia thekson se deklarimi i pasurisë është një detyrim ligjor dhe gjithashtu një akt i rëndësishëm për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike. Në këtë kuadër, bëhet thirrje për respektimin e këtij obligimi ligjor nga të gjithë zyrtarët publikë, për të treguar vullnetin e tyre për respektim të ligjit dhe angazhim në përmirësimin e transparencës.
Në rast të mosdeklarimit të pasurisë brenda afatit ligjor, për zyrtarët do të merren masa të rrepta, përfshirë gjoba mandatore në shumën prej 30% të pagës mujore dhe mundësinë e kallëzimit penal për ata që nuk i përmbushin detyrimet e tyre. Deklarimi ne kohë dhe i saktë i pasurisë është një mundësi për të ruajtur besimin e publikut në administratën publike dhe për të siguruar integritetin saj.
Yll Buleshkaj, Drejtor i Agjencisë, thekson “Deklarimi i pasurisë është një mundësi për të demonstruar angazhimin e zyrtarëve për një administratë të përgjegjshme, transparente dhe llogaridhënëse. Respektimi i këtij detyrimi është një hap i rëndësishëm në parandalimin e korrupsionit dhe në forcimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve tona.”/Indeksonline/