Juristja Doruntinë Meha ka denoncuar publikisht kushtet e papërshtatshme përgjatë mbajtjes së provimit të jurisprudencës
Meha, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, e cila ka qenë edhe kandidate në provimin e jurisprudencës, ka denoncuar parregullsitë dhe ka thënë se s’plotësohen as kushtet elementare të mbajtjes së tij.
Tutje, Meha ka konsideruar se provimi nuk duhet të mbahet në formë të shkruar dhe se nevojitet reformë e menjëhershme në këtë drejtim.
Reagimi i plotë:
Juristët që nuk kanë guxim ta mbrojnë vetveten
Provimi i jurisprudencës në Kosovë është një pasqyrë e qartë e mënyrës si sistemi e sheh të drejtën: si barrë, jo si vlerë. Dy herë në vit, qindra kandidatë paguajnë nga 50 euro për një proces që nuk përmban as minimumin e standardit profesional, etik apo njerëzor. Ky është provimi përmes të cilit një jurist certifikohet për t’u bërë pjesë e sistemit të drejtësisë – dhe megjithatë, zhvillohet në forma të cilat e ofendojnë vetë idenë e drejtësisë.
Shkrimi me dorë, për orë të tëra. Në sallat e papërshtatshme, me temperatura të pakontrolluara dhe pa ofrim të asnjë kushti elementar – as një shishe ujë për pije. Detyra që shpesh janë të gjata, të paqarta, ose të ndërtuara pa përputhje me kohën në dispozicion. Komisione që, në vend se të shërbejnë si mbikëqyrës profesionalë, tregojnë arrogancë dhe mungesë totale të ndjeshmërisë ndaj kandidatit që ndodhet përballë një prove jetësore. Asnjë ligj, asnjë material ndihmës nuk ofrohet – gjithçka duhet siguruar vetë, ndonëse tarifa është paguar.
Gjithë ky proces ndodh në një heshtje të organizuar. Juristët ankohen ndërmjet vete, por rrallëkush flet publikisht. Frika është e madhe: nëse dikush ngre zërin, nuk do të kalojë më. Kjo frikë është bërë zëvendësim i kritikës dhe garanci për vazhdimësinë e një sistemi që nuk i detyrohet askujt për sqarim. Për këtë arsye, edhe pse të gjithë përballen me të njëjtat vështirësi, askush nuk flet. Dhe kjo heshtje është ajo që e mban të paprekur padrejtësinë.
Askush nuk e konteston nevojën për një provim serioz e të standardizuar. Por kur përgatitja profesionale matet me qëndrueshmëri fizike, kur provimi lodh më shumë dorën se mendjen, dhe kur mënyra e organizimit ofendon më shumë se çdo pyetje brenda testit – atëherë nuk kemi të bëjmë me një proces vlerësimi, por me një formë të organizuar të rraskapitjes dhe nëpërkëmbjes.
Procesi ka nevojë për reformë të menjëhershme. Provimi duhet të largohet nga forma e shkrimit me dorë. Teknologjia nuk mungon – mungon vetëm vullneti. Le të rritet edhe tarifa, nëse është e nevojshme – por kandidatët meritojnë një provim të zhvilluar me dinjitet, me kushte të përshtatshme dhe me mbështetje institucionale. Ligjet duhet të ofrohen nga organizatorët, jo të kopjohen me shpenzime personale. Komisionet duhet të vlerësojnë profesionalisht, jo të imponohet autoritet përmes presioni e ftohtësie.
Nëse një sistem nuk respekton juristin që po hyn në të, si do ta respektojë qytetarin që kërkon drejtësi?
Nuk ka reformë të drejtësisë pa e nisur nga mënyra si përgatitet juristi. Dhe nuk ka drejtësi, nëse as juristët nuk kanë guximin ta mbrojnë vetveten.