Gazetari dhe opinionisti Vehbi Kajtazi i ka dalë në mbështetje gazetarit Adriatik Kelmendi, pas sulmeve që ky i fundit mori nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kajtazi përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, shkroi se Kelmendi është një nga kontribuuesit më të mëdhenj të zbardhjes së masakrave tragjike të ndodhura gjatë luftës në Kosovë në fshatra të Pejës.
Teksa ka rikujtuar se gazetari Kelmendi ishte edhe autor i dokumentarit “American Radio Works” dhe bashkëpunëtor i i organizatës “Human Rights Ëatch”, që dokumentuan krimet serbe në këto fshatra te Pejës. Puna e tij u përdor ne gjykimin e krimineleve serbë ne Hagë, përfshire Millosheviqin dhe ne Beograd kundër paramilitareve të njësisë Çakalli.
Ndër të tjerash, Kajtazi shkroi se sulmet ndaj Adriatik Kelmendit nuk janë vetëm ndaj një individi por ndaj kredibilitetit të punës se tij, duke shtuar se kredibiliteti i gazetarëve i pengon regjimit.
Postimi i tij i plotë si në vijim:
Qyshku, Pavlani dhe Zahaqi – fshatra te Pejes kane perjetuar tmerre te medha gjate luftes.
Masakrat ne keto fshatra jane nga ngjarjet me tragjike te ndodhura gjate luftes ne Kosove ne vitin 1999, ku forcat serbe kryen krime te renda kunder civikeve shqiptare.
Mbi 60 civile shqiptare jane vrare nga forcat serbe.
Per keto krime jane gjykuar disa pjesemarres ne keto krime siç jane pjesetare te njesise famekeqe Çakalli.
Nje prej kongribuesve me te medhenje te zbardhjes se ketyre krimeve dhe nxjerrjes para drejtesise te krimineleve te luftes eshte Adriatik Kelmendi.
Ai ishte autor i nje dokunentari per mediumin “American RadioWorks” dhe bashkepunetor i i organizates Human Rights Watch, qe dokunentuan krimet serbe ne keto fshatra te Pejes. Puna e tij u perdor ne gjymimin e krimineleve serbe ne Hage, perfshire Milosheviqin dhe ne Beograd kunder paramilitareve te njesise Çakalli.
Sulmet kunder Adriatik Kelmendit nga regjimi i Albin Kurtit nuk jane kunder nje individi, por kunder kredibilitetit dhe punes se tij.
Kjo i pengon dhe tmerron regjimet, pra kredibiliteti i gazetareve.
Ndaj e sulmojne Adriatiku.
Si gazetar kam raportuar shume here per krimet serbe. Per kujtesen tuaj po e sjell nje shkrim te gjate te botuar ne Koha Ditore shume vjet me pare. Shkrimi ka reference punen e Adriatik Kelmendit.
Qyshku, fshati që u la më gjak
Zvoinko Cvetkoviq, i arrestuar në Serbi pas masakrës në Qyshk kishte lënë fotografi në vendin e krimit. Një dëshmitare që kishte jetuar në një lagje me të në Pejë e kishte identifikuar atë
Vehbi Kajtazi
Prishtinë, 19 mars – Me ngritjen e diellit mbi fshatin në perëndim të Kosovës, Qyshk, më 14 maj të vitit 1999, ishte një nga ato mëngjeset me lagështi dhe pa shumë erë, që paralajmëronin se përpara fshihej një ditë përcëlluese. Draganin, paramilitar serb, nuk mund ta zinte vendi vend. Ai ishte duke u sorollatur nëpër fushën me barë të dendur që nga dita e kaluar kur ai bashkë me disa luftëtarë të tjerë ishte urdhëruar të shkonin në afërsi të Qyshkut dhe u ishte thënë që të përgatisin një sulm mbi këtë fshat kryesisht të banuar nga shqiptarët. Kështu e përshkruanin në një fejton Michael Montgomery dhe Stephen Smithdy, dy gazetarë amerikanë nga American RadioËorks në shkurt të vitit 2002, mëngjesin kur në këtë fshat ishin ekzekutuar dhe pastaj djegur 47 shqiptarë – civilë të pajahshëm nga forcat serbe.
Dragani është një ish-ushtar jugosllav, i cili kishte luftuar në Kosovë me njësitin militar të vetëquajtur “Brigada Cara Dusana” (Brigada e Car Dushanit), që kishte marrë pjesë në masakër. Dragani tregon se kishte urryer këto çaste të pritjes që kishin ndërprerë kënaqësinë e adrenalinës që i punonte para se të rrëmbehej në ndonjë betejë. Për ta mbytur monotoninë që i shkaktonte kjo pritje, Dragani pinte shumë cigare, tregonte barcoleta të fëlliqura që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe ndillte vdekjen e shqiptarëve.
Sot Dragani jeton gjetiu diku i lirë. E hiri i viktimave të tij është i varrosur në qendër të fshatit Qyshk shumë afër tri shtëpive të të cilat u ekzekutuan shqiptarët në tri grupe.
Rexhë Kelmendi, kishte mbijetuar në një kasaphane. Isë Gashi e Hazir Berisha në dy të tjera. Këta të mbijetuar të masakrës së Qyshkut jetojnë për të rrëfyer atë që kanë përjetuar.
Rrëfime për masakrat e tmerrin e përjetuar janë dhënë edhe shumë të tjerë të fshatrave Pavlan, Zahaq dhe Nakëll. Bazuar në këto rrëfime Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka ushtruar një kallëzim penal në vitin 2000 në Gjykatën e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi ndaj 37 serbëve. Asnjëri prej tyre nuk ka përfunduar në Hagë, por vetëm shtatë nga këta serbë lokal që dyshohet se kanë masakruar fqinjët e tyre shqiptarë janë arrestuar javën e kaluar në Serbi me urdhër të Prokurorisë për Krime Lufte.
Sreqko Popoviq me nofkën “Burdush”, pjesëtar i grupit “Munja” nga Prizreni, Miça (Nikolla) Markoviqit, Milenko (Bllagoje) Koriçanin nga fshati Nakëll i Pejës, Gjuro Kastratoviq nga Gorazhdeci, Zvonimir Cvetkoviq nga Peja, Velimir ( Savo) Vuleviq dhe Stevo (Velimir) Vuleviq nga Llabjani.
Njëri prej këtyre të arrestuarve, Zvoinko Cvetkoviq, pas masakrës në Qyshk kishte lënë fotografi në vendin e krimit. Një dëshmitare që kishte jetuar në një lagje me të në Pejë e kishte identifikuar atë.
“Ai më njohu mua dhe më pyeti se çfarë po bëja unë aty. Unë iu përgjigja: ‘Unë jetoj këtu tash’. Ai më pyeti se sa fëmijë kam. Unë kisha frikë t’i tregoja se kam një djalë dhe e gënjeva – i thashë se kam pesë vajza. pastaj, ai më pyeti në ka pasur UÇK në fshat. Unë i thashë se jo”, kishte thënë dëshmitarja për American RadioËorks. Atë e kishin identifikuar edhe dy dëshmitarë të tjerë në Qyshk të veshur me rroba ushtrie.
Dyshimet e Prokurorisë Serbe për krime lufte
Pjesëtarët e grupit “Shakalli”akuzohen nga prokuroria serbe për vrasje dhe plaçkitje të shumta. Kjo është hera e parë që dikujt që akuzohet për krime lufte përfshihen edhe pasuria pasi ata dyshohet se përveç vrasjeve edhe kanë plaçkitur në Kosovë. Prokuroria ka kërkuar që të hetohet ky rast dhe në pajtueshmëri me ligjin të verifikohet prona dhe të merret gjithçka që mendohet se është fituar në mënyrë të paligjshme.
26 serbët e kërkuar nëntë prej të cilëve tashmë janë arrestuar në Serbi dyshohet se kanë vrarë të paktën 41 persona, por në këtë rast mendohet se i terë grupi ka vrarë të paktën 200 shqiptarë ose hetohen raste ku përfshihet ky numër viktimash. Këtë formacion e kanë përbërë kryesisht kriminelët dhe Prokuroria për Krime Lufte ka konstatuar se qëllimi ka qenë dëbimi i shqiptarëve për në Shqipëri.
Ky grup është komanduar nga Nebojsha Miniq, i njohur për shumë njerëz si “Mrtvi” (i vdekuri). Ky grup ka sulmuar fshatrat për rreth Pejës dhe dyshohet se pasi viktimave u kanë plaçkitur gjërat me vlerë si para, ari, stoli, ora dhe gjëra të tjera i kanë ekzekutuar dhe një pjesë prej tyre i kanë djegur. Gjithçka nga shtëpitë e tyre është marrë dhe ndërkohë janë vrarë edhe disa persona gjatë plaçkitjes dhe njërit prej tyre i është shkruar me thikë katër “s”, nga i cili, siç thuhet janë marrë më parë 100 mijë marka gjermane për djalin e tij dhe më pas e kanë vrarë.
Sipas burimeve viktima është Çaush Lushin, 51 vjeç, i njohur si më i pasuri në Qyshk. Sipas dëshmitarëve Çaushi është vrarë së bashku më të birin nga Nebojsha Miniq, i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte. Ai ishte arrestuar në vitin 2005 në Argjentinë por kishte vdekur pas pak orës.
Në fshatin Qyshk janë djegur, edhe të paktën 30 shtëpi.
Prokuroria serbe është duke hetuar rastin dhe ende nuk është bërë publike nëse do të ketë aktakuzë, por për nëntë të arrestuarit janë caktuar nga 30 ditë paraburgim.
“Në këtë rast ka ndihmuar shumë drejtësia e EULEX-it dhe Fondi për të Drejtën Humanitare”, thotë për “Kohën Ditore”, Bruno Vekariq, zëdhënës i Prokurorisë për Krime Lufte në Serbo.
Burimet jozyrtare bëjnë të ditur se njësinë e udhëhequr nga Miniqi e kanë përbërë të paktën 100 persona të cilët kanë funksionuar në emra të ndryshëm si “Munje” Shakalla” dhe emra të tjerë. Policia, sipas sistemit të atëhershëm ka përdorur vullnetar dhe njësi të tilla për misione që kanë përfunduar me shumë vrasje, por ato janë quajtur si formacione paraushtarake. Policia ka thënë se është duke kërkuar 26 persona, por një pjesë e tyre mendohet se jetojnë në shtetet e Bashkimit Evropian.
Të akuzuarit nga Haga
Më 24 maj të vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë Tribunali i Hagës konfirmoi aktakuzën e paraqitur nga Prokurorja kundër ish-Presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan MIlosheviq. Aktakuza ishte historike sepse ishte hera e parë që një kryetar shteti në detyrë u akuzua zyrtarisht nga një gjykatë ndërkombëtare për krime lufte. Në Aktakuzë u akuzuan gjithashtu katër prej drejtuesve më të lartë politikë, policorë dhe ushtarakë serbë: presidenti i Serbisë Milan Milutinoviq, zëvendëskryeministri jugosllav, Nikolla Shainoviq, shefi i Shtabit të Ushtrisë, Dragolub Ojdaniq dhe ministri i Brendshëm serb Vllajko Stojilkoviq. Millosheviq kishte vdekur gjatë procesit gjyqësor ndërsa Milan Millutinoviq është shpallur i pafajshëm ndërsa të tjerët janë dënuar me burgim nga 10 deri në 20 vjet burgim.
Ndërkohë gjatë gjykimit të Millosheviqit prokuroria akuzoi penalisht anëtarë të tjerë të udhëheqjes politike, ushtarake dhe policore të Serbisë për krimet në Kosovë. Më 2 tetor 2003 u akuzuan formalisht këta katër zyrtarë të lartë: Nebojsha Pavkoviq, komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave dhe Shef i Shtabit, Vladimir Llazareviq, Shef i Shtabit të Korpusit të Prishtinës dhe Komandant i Armatës së Tretë, Vllastimir Gjorgjeviq, ndihmësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme serbe (MUP) dhe Sreten Lukiq, shefi i Shtabit të Ministrisë së Brendshme për Kosovën.
Kundër tyre u ngritën akuza për përndjekje, vrasje, dëbime dhe transferime të dhunshme kundër shqiptarëve të Kosovës në kuadër të një fushate të gjerë dhe sistematike mizorie dhe dhune e cila shkaktoi dëbimin e dhunshëm të afërsisht 800,000 civilëve shqiptarë që përbën zhvendosjen më të madhe të njerëzve gjatë tërë konflikteve në ish-Jugosllavi.
Një prej të akuzuarve ish-Ministri I Brendshëm Vllajko Stojikoviq kreu vetëvrasje në Beograd duke iu shmangur ballafaqimit me drejtësinë.
Struktura Komanduese
Sipas një raporti të OSBE-së me titull “Kosova” Ushtria Jugosllave numëronte një personel prej 85,000 vetash, 114, 000 trupa të rregullt dhe me një forcë rezervë e cila arrinte deri në 200,000 trupa. Në Kosovë, gjendeshin përafërsisht rreth 15,000 trupa në fillim të vitit 1999, të cilët u bënë deri 20,000 nga fundi i prillit. Këtu nuk përfshihen 30,000 policët, paraushtarakët e trupat e parregullta, të cilat gjendeshin në Kosovë.
Sipas Kushtetutës së atëhershme jugosllave, Ushtria është nën komandën e presidentit qoftë në kohë lufte, qoftë në kohë paqeje. Presidenti është gjithashtu i veshur me fuqinë ligjore për të emëruar, graduar dhe shkarkuar zyrtarë e oficerë.
Organi kontrollues i ushtrisë është Këshilli i Lartë i Mbrojtjes (KLB), kreu i të cilit është presidenti jugosllav. Anëtarët e tjerë të këtij këshilli ishin presidentët e Serbisë e Malit të Zi. Sekretari i Këshillit ishte Sllavoljub Susiç.
Sipas medias serbe, KLB-ja rrallë është mbledhur, nëse është mbledhur ndonjëherë, për t’u konsultuar mbi Kosovën. Arsyeja është se sipas të gjitha gjasave Presidenti malazez Milo Gjukanoviç nuk do të kishte rënë dakord me planet e Milosheviçit.
Megjithëse Presidenti jugosllav ka të drejtën të komandojëushtrinë vetëm duke ndjekur vendimet e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, në të vërtetë Milosheviqi mori personalisht komandën e ushtrisë, ashtu siç bëri edhe me strukturat e qeverisë jugosllave. Në ato kohë, ushtria mori aksionet pa aprovimin e KLB-së, duke provokuar kritika të forta nga ana e Presidentit malazez Gjukanoviç.
Ushtria ishte e ndarë në tri armata, ashtu si edhe në Flotë Ushtarake Detare, Forca të Mbrojtjes Ajrore dhe Shërbim i Kundërzbulimit (i njohur si KOS – Kontraobavestajna Sluzba).Armata e parë mbulon Serbinë veriore, Armata e dytë mbulon Serbinë qendrore dhe Malin e Zi, dhe armata e tretë mbulon Serbinë e Jugut dhe Kosovën. Përveç kësaj, Ushtria Jugosllave kishte një korpus forcash speciale, i njohur si beretat e kuqe, të cilat ishin të trajnuara në mënyrë speciale për aksione antiterroriste.
Armata e tretë, me vendqëndrim të shtabit në Nish, ishte e përbërë gjithashtu nga Grupi Taktik “Timok” nga Korpusi i Nishit, Korpusi i Leskovacit dhe Korpusi i Prishtinës (të njohura si 52 korpuset). Korpusi i Prishtinës, i cili mbulonte Kosovën, kishte Brigadën e 15-të të komanduar nga Kolonel Mladen Cirkoviq. Ky korpus kishte Brigadën e 125-të të motorizuar (Kosovë Mitrovicë e Pejë), të komanduar nga kolonel Dragan Zivanoviç, Brigadën e 549-të të motorizuar (Prizren e Gjakovë), të komanduar nga Kolonel Bozhidar Deliq, Brigadën e 243-të të mekanizuar (Ferizaj e Gjilan), të komanduar nga kolonel Krsman Jeliq, Brigadën e 52-të të artilerisë së kombinuar (Gjilan), të komanduar nga kolonel Radojko Stefanoviç, Njësinë e 52-të të policisë ushtarake (Prishtinë) të komanduar nga major Zeljko Pekoviç, Regjimentin e 83-të të aviacionit, Regjimentin e 52-të të inxhinierëve (Krusec), Regjimentin e 311-të të mbrojtjes ajrore (Gjakovë), Batalionin e 53-të të rojeve të kufirit (Gjakovë), Batalionin e 55-të të rojeve të kufirit (Prizren), Batalionin e 57-të të rojeve të kufirit (Ferizaj)
Asnjë nga këta udhëheqës të Korpusit të Prishtinës nuk janë akuzuar përveç kreut Vladimir Llazareviq.
Struktura e MUP-it
Struktura e Ministrisë Serbe të Punëve të Brendshme (MUP) ishte shumë më e komplikuar se sa ajo e VJ-së, e cila përbëhet nga një hierarki transparente. Bollëku i njësive e grupeve brenda MUP-it e bën hierarkinë e saj më pak të dallueshme, ndonëse është e qartë se, sipas ligjit, autoriteti më i lartë i MUP-it gjatë luftës i përkiste presidentit të atëhershëm jugosllav, Sllobodan Milosheviç.
Megjithëse ai nuk ishte de jure në majë të zinxhirit të komandave të MUP-it në kohë paqeje (ky post mbahej nga Ministri Serb i Punëve të Brendshme), ai ishte de facto
komandant i padiskutueshëm i këtyre forcave. Sipas ligjit jugosllav mbi mbrojtjen, në një situatë luftë, policia republikane vihet nën juridiksionin e ushtrisë jugosllave.
Aparati i sigurimit i MUP-it ishte i ndarë në tri degë: shërbimi i sigurimit publik, shërbimi i sigurimit shtetëror (i njohur si SDB – Sluzba Drzavne Bezbednosti), dhe institucionet arsimore, siç ishte Akademia e Policisë.
Nga prilli i vitit 1997 deri në tetor të vitit 2000 pas përfundimit të luftës në Kosovë, ministër i MUP-it ishte Vlajko Stojiljkoviç, i njohur me emrin përkëdhelës “Deda” (“Babagjyshi”). Më 27 maj 1999, ai, së bashku me katër zyrtarë të tjerë të lartë serbë e
jugosllavë, u akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë për krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.
Kreu më i lartë shtetëror ka udhëhequr edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Por Kolonel Boro Vlahoviç, i cili ka udhëhequr Policinë në rajonin e Pejës ende nuk është akuzuar ndonëse ka marrë raporte nga forcat në terren dhe i ka raportuar direkt MUP-it.
Në Kosovë gjendeshin shtatë qendra të policisë rajonale, të njohura si SUP-a (Sekretarijat Unutrasnjih Poslova, ose Sekretariati i Punëve të Brendshme) në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, e Gjakovë. Secila prej këtyre SUP-eve ishte e ndarë në njësi të Punëve të Brendshme më të vegjël, në brendësi të të cilave ishin postat e policisë lokale në qytete e fshatra.
Figurë qendrore e policisë së rregullt ishte Sreten Lukiç, i cili komandonte forcën në Kosovë. Pozita e tij e saktë në zinxhirin hierarkik të MUP-it gjatë luftës mbetet disi e paqartë, ndonëse rëndësia e tij në Kosovë ishte e padiskutueshme. Në dokumente të ndryshme të MUP-it, ai përmendet si shef i shtabit të ministrisë së brendshme në Prishtinë. Ai është gjithashtu i lidhur me Milan Lukiçin dhe Sredoje Lukiçin, që të dy të akuzuar nga Gjykata e Krimeve të Luftës për abuzime në Bosnjë si dhe me Mikailo Lukiçin, ish-shefi i policisë sekrete në Bajina Basta. Në shumë raste, MUP-i e prezantoi Lukiçin në Kosovë si interlokutorin e vet kryesor me të huajt.
“Munja”
Brenda MUP-it ishin gjithashtu shumë grupe milicësh e rezervistësh lokalë, si për shembull “Munja” (“vetëtima”) në Pejë, që është përgjegjës për masakrën në fshatin Qyshk. Grupi kishte nam për dhunë dhe krime në Kosovë. Sipas anëtarëve të “Munja”-s, të cilët folën me gazetarë të kompanisë amerikane për dokumentarë radiofonikë “American RadioËorks”, Ushtria Jugosllave i furnizonte ata me ushqim e municion, si dhe me dokumente udhëtimi, për t’u mundësuar kalimin e pikave të kontrollit.
“Ne do të përpilonim një listë njerëzish, të cilët duhej të arrestoheshin. Nëse ata do të rezistonin, ne do t’i vrisnim. Disa shqiptarë paguan para, në mënyrë që të liheshin të qetë. Ne e dinim cilët duhet të merrnim me vete e cilët jo”, ka thënë një anëtar i “Munja”-s, i quajtur Branko. Kjo njësi si dhe vetë Branko ka marrë pjesë në vrasjen e mëse 200 shqiptarëve në katër fshatra të Pejës përfshirë edhe Qyshkun.
Fred Abrahamsin, hulumtuesin e “Human Rights Ëatch”, organizate joqeveritare me seli në SHBA, e cila merret me hulumtimin e krimeve të luftës, si dhe abuzimet e tjera të të drejtave të njeriut kishte parë shumë tmerre, shumë vende masakrash dhe shumë vrasje. Mirëpo, ajo që e kishte qitur Abrahamsin në rrugë të madhe gjatë ceremonisë mortore të viktimave në Qyshkut. Intervistat që ai kishte bërë me të mbijetuarit ka qenë baza kryesore e për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës kundër Slobodan Milosheviqit dhe katër bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.
“Human Rights Ëatch”, në një raport të gjerë për luftën në Kosovë të botuar edhe në një libër ka gjetur shumë prova e fakte të lëna nga vetë kriminelët në fshatin Qyshk. Kur vrasësit kishin ikur kishin lënë pas vetes dëshmitë për ato që kishin bërë. Në Qyshk janë gjetur shumë dokumente ushtarake dhe fotografi, në të cilat tregohen kriminelët serbë gjatë aksioneve, në poza me armë para dhe me sfonde ku shihen shtëpitë e kapluara nga zjarri.
Këto fotografi janë përdorur nga “American Radio Ëorks” për t’iu treguar njerëzve të mbijetuar në masakër. Ato i kanë shkuar me kujdes edhe Akifi dhe mbesa e tij 27 vjeçe, Lulja. Me të parë fotografitë, Akifi dhe Lulja kishin reaguar me emocione, duke drejtuar gishtërinjtë e thatë nga fotot: “Është ai, ky është ai”.
Luftëtarët serbë që kanë qenë në Qyshk, më 14 maj, ose ata të cilët dinin diçka për ndodhinë e tmerrshme të mesit të pranverës, kanë dëshmuar se sulmi ka qenë i organizuar nga grupet më elite të policisë së Serbisë, si dhe armatës dhe njësiteve paramilitare – trupa këto nën direktiva të drejtpërdrejta nga gjeneralët më të afërt të të akuzuarit për krime lufte, Slobodan Milosheviqit.
Formacioni “Frenki”
Formacioni militar “Frenki” është njëri nga njësitet më sekrete serbe që kanë luftuar në Kosovë. “Frenki” ka qenë pjesë e forcave speciale të sigurimit shtetëror të Serbisë, të njohur edhe si “Crvene berete” (Beretat e kuqe). Emri i këtij njësiti militar rrjedh nga Franko Simatoviq, një komandant i mistershëm, i cili, ka qenë koka e disa operacioneve të mëdha gjatë luftërave në Bosnjë dhe Kroaci.
Në masakrën e Qyshkut ka marrë pjesë edhe formacioni “Frenki”. “OPG”, ose “Operativna Grupa” (grupi operativ), një njësit elitë i policisë serbe, pjesëtarët e të cilit me krenari kanë quajtur veten “Magla” (mjegulla), pas aksioneve nuk kanë lënë ndonjë gjurmë. Ky njësit ka marrë urdhrat nga një gjeneral i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.
Luftëtarët nga ky grup kanë theksuar se “OPG” qëndron prapa masakrës që ka ndodhur në fillim të vitit 1999, natën ndërmjet 14 dhe 15 janarit, në Reçak. Njësiti snajperist i Armatës së Tretë “Jugosllave”, grup që theksohet të ketë qenë nën komandën e drejtpërdrejtë të kryegjeneralit të Armatës së Tretë.
Njëri nga komandantët më famëkeq dhe më të frikshëm, Vidomir Shalipur – polici më i njohur në qytetin e Pejës për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve ka qenë pjesë e kësaj njësie. Shalipuri është vrarë më 8 prill, 1999, nga një ushtar 17-vjeçar i UÇK-së, në pusinë e vënë në afërsi të fshatit Radac.
Vrasja e policit Vidomir Shalipur, bazuar në dëshmi të shumta, kishte bërë që grupi militar “Munja” të mbetej nën drejtimin e partnerit të tij në krime, kriminelit Nebojsha Miniq. Kjo kishte qenë edhe një ndër strategjitë e luftës së Milosheviqit në Kosovë – policët dhe kriminelët të luftojnë krah për krah më njëri-tjetrin. Dëshmitarët e kanë identifikuar Nebojsha Miniqin si njërin nga komandantët e sulmit mbi Qyshk, Pavlan dhe Zahaq, më 14 maj. Së bashku me Miniqin ishte edhe njeriu hijerëndë nga fotografitë, Burdushi, emri i vërtetë i të cilit është – Sreçko Popoviq.
Në njërën prej masakrave më të mëdha në Kosovë është ajo e Qyshkut ku u vranë 47 civilë shqiptarë të Kosovës, të gjithë burra dhe djem. Fshati kishte rreth 2000 banorë, kryesisht shqiptarë. Në mëngjes herët e 14 maj 1999, forcat serbe të sigurimit zbritur në fshatin e vogël Qyshk disa kilometra në lindje të Pejës.
Human Rights Ëatch ka shkruar se Agim Çeku, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të jetë ndër motivet e kësaj masakre. Por Çeku nuk beson se ka qenë kjo.
“Nuk mendoj sepse serbët janë pikërisht të tillë. Në çdo vend ata kanë vra pleq, gra, fëmijë, shumë masakra kanë kryer si masakra e Reçakut, e Çirezit e shumë e shumë masakra tjera. Po të kishte ndodhur vetëm në Qyshk ndodhsha dikush kush mundur ta kish lidh”, ka thënë Çeku për “Kohën Ditore”. Ai thotë se ka pasur shumë emra të njohur në UÇK por nuk ka pasur një revanshizëm të tillë në fshatrat dhe familjet e tyre që kanë qenë të njohura me emër e mbiemër.