Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentarin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se s’do të marrë pjesë në konsultat e presidentit Aleksandar Vuçiq për themelimin e qeverisë.
Ai ka shkruar në Facebook se s’do të marrë pjesë në një proces të rrejshëm, duke shtuar se “bashkëkombasit e mi mbetën pakica skajshmërisht e diskriminuar në sistemin shtetëror në 13 vitet e fundit”.
Ai ka thënë se ndër vite shqiptarët kanë marrë pjesë në takim konsultative, por asnjëra qeveri s’ua ka marrë parasysh kërkesat.
“Që nga atëherë e deri më sot, përtej përpjekjeve tona politike e institucionale, asnjë qeveri e drejtuar nga Ju dhe subjekti politik të cilin e keni drejtuar kohë të gjatë, nuk ka parë të arsyeshme që të bashkëpunojë me përfaqësuesit shqiptarë për realizimin e kërkesave tona legjitime”, ka shkruar Kamberi të hënën.
Kamberi ka thënë se është i përkushtuar për vazhdimin e betejës politike dhe është i hapur të bashkëpunojë me qëllim që të realizohen plotësisht kërkesat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Deri atëherë nuk shoh të arsyeshme të bëhem pjesë e një procesi të rrejshëm të demokracisë, sa për të përmbushur formën, ndërkohë që bashkëkombasit e mi mbeten pakica skajshmërisht e diskriminuar në sistemin shtetëror në 13 vitet e fundit”, ka thënë ai.