Një incident që rrezikonte sigurinë publike është regjistruar mbrëmjen e djeshme në hotelin “Emerald” në Prishtinë, ku një person është kapur me armë zjarri dhe mjete të mprehta brenda ambientit të restorantit.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur për Sinjalin se më 20.02.2026 rreth orës 20:20, policia ka pranuar informacion se një person po prishte rendin dhe qetësinë publike në restorantin e hotelit.
Patrulla e Stacionit Policor në Graçanicë ka ndërhyrë menjëherë, ku gjatë kontrollit te i dyshuari Mustafë Leka, rreth 38-vjeçar është gjetur:
një pistoletë me 21 fishekë të kalibrit 9mm
dy mjete të mprehta (thika/brice), të vendosura në karrigen ku qëndronte i dyshuari.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe forenzika për procedurat përkatëse.
Në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.














