Boksieri nga Kosova, Shpat Vasolli i cili karrierën e ka pothuajse të ngjashme me të boksierit, Florian Marku në një prononcim për Gazeta Metron ka folur rreth të ardhmes së tij dhe si e sheh ai boksin e Kosovës, ndërsa ka treguar edhe se cilët boksier shqiptarë e inspirojnë atë më së shumti.
Boksieri kosovar, Shpat Vasolli kishte filluar karrierën e tij me artin marcial ndoshta më të preferuarin tani për tani në botë, MMA ku ishte ndeshur dy herë dhe kishte arritur një fitore dhe një humbje, ndërsa si Marku edhe ai ka kaluar nga MMA në boks.
Ai ka treguar se ka shumë të rijnë me aftësi dhe me talent të cilët në të ardhmen mund të përfaqësojnë vendin tonë në nivele ndërkombëtare, derisa ka shtuar se shpreson të kenë sukses në çdo aspekt por duhet punë, sakrificë, disiplinë dhe vullnet.
”Sipas mendimit tim e shoh popullin tonë dhe federatën e Boksit duke përparuar në të ardhmen me plotë të rijnë me aftësi, punë dhe talent të cilët në nivele ndërkombëtare do të përfaqësojnë vendin tonë presim të bëjmë krenar çdo shqiptarë anë e mbanë botës, pres që të kemi sukses në çdo aspekt por duhet punë, sakrificë, disiplinë dhe vullnet,” tha Vasolli për Metron.
I pyetur se cili nga boksierët shqiptarë të inspiron më shumë për këtë sport dhe e përcjell gjatë gjithë kohës, ai tregoj se ka plotë por gjithsesi një ndër më të preferuarit është Florian Marku, gjersa është shprehur shumë optimist se në të ardhmen të bëhet kampion bote.
”Si sportist studioj dhe analizoj shumë boksera dhe fightera të ndryshëm të gjithë botës në nivele elite profesionale që ta zgjeroj dijeninë, teknikën dhe taktikën në ring që të kem sukses dhe të parapërgatitem për ligat profesionale, ku ka shqiptarë të ndryshëm si Florian Marku, Amarildo Vraja, Robert Berisha etj. Të cilët më frymëzojnë dhe inspirojnë më shumë që të vazhdoj me punën time dhe të arrij një ditë me ndihmën e Zotit të bëhem kampion bote,” deklaroi 21-vjeçari.
Vasolli momentalisht është tek klubi nga Prishtina, Fight Factory ku çdo ditë stërvitet me shumë entuziazëm dhe me shumë besim që në të ardhmen të përfaqësoj Kosovën në arenat ndërkombëtare.













