Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Ardian Kastrati, ka bërë një analizë të thellë sa i përket procesit zgjedhor të 9 shkurtit.
Ai e nisi nga diskursi i Kurtit, që në festën mes 9 dhe 10 shkurtit i quajti opozitarët “hajvana”, Kastrati thotë se të gjithë duhet të kuptojnë se “nuk kemi të bëjmë me një politikan normal”.
“Shpresoj që askush më nga opozita mos ta kenë iluzionin se po i hyjnë një beteje të re pozitë-opozitë me një politikan të zakonshëm. Fushata afirmative nuk është që i dha rezultatet e pritshme, përkundër rritjes së opozitës dhe rënies së Kurtit” u shpreh ai.
Tutje, profesori universitar deklaroi se qytetarëve duhet ofruar program, ashtu siç bëri opozita, duke shtuar se e njëjta nuk duhet t’i japë kënaqësi Kurtit me reagime.
Ky është postimi i plotë i tij:
Pasi Kurti na quajti hajvana, po besoj që edhe opozitari i fundit apo edhe oportunisti i fundit që pretendon të bëhet ministër (me pak paraqitje publike vetëm gjatë muajit të fushatës) do ta kenë kuptuar se nuk kemi të bëjmë me një politikan normal.
Shpresoj që askush më nga opozita mos ta kenë iluzionin se po i hyjnë një beteje të re pozitë-opozitë me një politikan të zakonshëm. Fushata afirmative nuk është që i dha rezultatet e pritshme, përkundër rritjes së opozitës dhe rënies së Kurtit.
U vërtetua që ne nuk jemi në Suedi.
Albin Kurti nuk luftohet me politikanë U-17sha e U-21sha, por me politikanë nga linja e parë e zjarrit.
Vetëm duke iu falenderu Bedri Hamzës arritëm ngritje nga 20 në 25 mandate.
Kurti nuk është një udhëheqës normal, por një sundimtar që shfrytëzon pushtetin për t’u ngjitur më lart, duke sakrifikuar interesat e shtetit për të mbajtur fokusin te vetvetja. Sa më shpejt që trajtohet si i tillë , aq më shpejt tkurret ai dhe VV.
Duhet ta kujtojmë që Kurti ka rrënuar me mjete luftarake çdo institucion me mbështetje minimale elektorale, duke i fyer ata që guxonin ta sfidonin.
Qytetarit duhet ofruar program, ashtu siç bëri opozita. Por, për ta sfiduar Kurtin duhet më shumë. Nuk jemi në Zvicër. Kurti kurrë nuk ka kërkuar besimin e popullit për të udhëhequr qeverisjen, por për t’u shndërruar në një protagonist të Ballkanit, duke e lënë pas çdo interes të shtetit me çmimin e çdo konflikti të mundshëm, madje edhe të viktimave.
Duke ndier frikën se po i humb roli i protagonistit i cili merret me gjeostrategjitë dhe gjeopolitikat e Ballkanit (rol ky që e ka krijuar dhunshëm dhe në mungesë të një reagimi më të vendosur opozitar), këto ditë kemi qenë dëshmitarë se si i tërbuar ka bërë ftesë për konflikte publike, duke na quajtur hajvana e duke thirr tubime në 12.00 natës në shesh.
Shumë mirë që opozita nuk reagoj. Nuk duhet ti japim këtë kënaqësi, sepse Kurti është ai politikani i tërbuar që nuk preferon ballafaqimin brenda institucioneve, por rrugëve, aty ku ai fiton.
Pasi i bëri qejfin Serbisë duke na sjell sanksione nga BE, na izoloj nga SHBA, i prishi marrëdhëniet ndërshqiptare me Shqipëri e Maqedoni, e katandisi vendin në fukarallëk ekstrem ku si pasojë emigruan 200.000 qytetarë, afera milionëshe korruptive dhe e polarizoj këtë shoqëri si kurrë më parë, konfikti civil mes nesh do të ishte finalja që Serbia do ta donte e që Kurti e vërtetoj natën e zgjedhjeve se ishte në gjendje të ja dhuroj.
Ta lëmë hajvanin vet le të sjellet si hajvan, por pa u bërë ne pjesë e skenarit të tij.
Sido që të jetë, opozita duhet mirë ta analizoj në javët në vazhdim se çfarë qeverie duam, si e duam, pse e duam, etj.
Përballë Kurtit brenda institucioneve (Parlament, Qeveri) e deri te zgjedhja e Presidentit nuk luhet me U17sha e U-21sha.
Duhet të tregohemi të përgjegjshëm nëse duam që Kurtit të ja shkurtojmë jetën politike. Na duhet një kabinet me profesionistë me përvojë të GJATË të fushës, por edhe me përvojë se si të përballen me Kurtin në opozitë! Këto nuk janë beteja aspak të lehta!
Na priftë e mbara!
P. S.
KQZ, filloni numërimin më shpejt se ka fillu me u cenu besueshmëria dhe integriteti i procesit!