Zhvillimi i lojërave të fatit në Kosovë ka kohë që është ndaluar me ligj, mirëpo shumë kazino kanë vendosur që mos ta përfillin këtë. Madje lokalet që organizojnë këso lojëra vetëm po lulëzojnë. Në lidhje me këtë veprimtari të jashtëligjshme, shpesh ka edhe të arrestuar, si dhe të arratisur.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë, në rrugën “28 Nëntori” në Podujevë, policia ka zbuluar një kazino ilegale që funksiononte në një bodrum të fshehtë.
Gazeta Sinjali mëson se gjatë një kontrolli të realizuar në bodrumin e një objekti, të autorizuar nga Prokuroria, janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme, kamera sigurie dhe tiketa bastesh – dëshmi të qarta të veprimtarisë së paligjshme.
Sipas burimeve, gjatë aksionit është takuar vetëm pronari i objektit, A.M., i cili është marrë në pyetje si dëshmitar.
Ndërkohë, pronari i vërtetë i kazinosë ilegale, siç merr vesh Gazeta Sinjali është Ilir Sekiraqa. Ai ka arritur të largohet dhe aktualisht kërkohet nga policia.
Ky rast tregon për shqetësimin në rritje: edhe pse shteti ka ndaluar lojërat e fatit, kazinotë ilegale jo vetëm që nuk janë zhdukur, por po veprojnë në heshtje e me strukturë të organizuar.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.