Një përleshje fizike ka përfunduar me dy persona të lënduar, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente. Njëri prej tyre ka marrë plagë me thikë në shpinë, ndërsa tjetri ka pësuar lëndime në kokë nga mjete të forta.
Situata raportohet se u përshkallëzua edhe brenda objektit të Emergjencës, ku ndodhi një tjetër konfrontim mes disa personave, të cilët raportohet se ishin të afërm apo miq të të lënduarve.
Mjeku kujdestar Avdush Bajgora, në një deklaratë për Klankosova.tv, tregoi se stafi mjekësor dhe pacientët e tjerë u ndjenë të rrezikuar nga situata e krijuar.
“Kemi qenë të rrezikuar edhe pacientët e tjerë edhe ne si staf. Ka shkuar luftë brenda mes tyre. Nuk më kujtohet saktë se si është zhvilluar rasti, por mezi kemi shpëtuar”, deklaroi ai.
“E kemi thirrur policinë dhe sigurimin menjëherë të cilët kanë intervenuar në rast, dhe e kanë vënë nën kontroll. Ne shpesh në këso raste ndihemi të rrezikuar dhe e kemi të pamundur ta zhvillojmë punën tonë. Uroj dhe bëj apel që raste të tilla të mos përsëriten më”, thja ai më tej.