41-vjeçari nga Deçani me inicialet H.L. është arrestuar në pikën kufitare në Morinë, derisa kishte tentuar të hynte në Shqipëri.
I njëjti ishte në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “vrasje e mbetur në tentativë”, “plagosje e rëndë” dhe “vjedhje”. Personi në fjalë kërkohet nga shteti i Austrisë.
“Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Austrisë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar H. L., 41 vjeç, banues në Deçan, Kosovë”.
“Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 41- vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vjena, pasi autoritetet austriake kanë lëshuar ndaj tij urdhër arresti, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Vrasje e mbetur në tentativë’, ‘Plagosje e rëndë’ dhe ‘Vjedhje’”, thuhet në njoftim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri, vijon procedurat për ekstradimin e 41-vjeçarin.